Në 72-vjetorin e themelimit të Arkivit Shtetëror, kërkohet vëmendje institucionale

Me rastin e 72-vjetorit të themelimit të Agjencia e Shtetërore e Arkivave të Kosovës ka organizuar “Javën e Arkivit të Hapur”.

Arkivi është hapur për vizitorë që të kenë mundësi të shohin punën për së afërmi dhe aktivitetet që bëhen në mjediset e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, me qëllim të ruajtjes, mbrojtjes, prezantimit dhe përgatitjes për shfrytëzim të trashëgimisë së shkruar që gjendet në AShAK.

Udhëheqësja e divizionit për bashkëpunim arkivor, Habibe Qovanaj, tha për KosovaPress se ky aktivitet është organizuar me qellim që të sensibilizojnë opinionin dhe të gjithë ata që kanë dëshirë të shohin punën e cila bëhet për së afërmi në arkivat e Kosovës, gjersa u bënë thirrje të gjitha Institucioneve që t’i kushtojnë më shumë vëmendje arkivit, sepse është themeli i shtetësisë së Kosovës.

“Sot është aktiviteti i javës së hapur së arkivave… Gjithmonë organizohet me rastin e përvjetorit të themelit të Arkivit të Kosovës. Sot është 72-vjetori i themelit të arkivit të Kosovës dhe kemi organizuar këtë aktivitet me qellim që të sensibilizojmë opinionin dhe të gjithë ata që kanë dëshirë të shohin punën e cila bëhet për së afërmi në Arkivat e Kosovës. Ky aktivitet është i shtati me radhë dhe ka shumë të interesuar që të shohin punën dhe veprimtarinë e arkivit… Kemi vizita nga studentë nga nxënës së shkollave të mesme, fillore… Ka të interesuar edhe prej institucioneve të cilët vijnë dhe dëshirojnë të shohin proceset e punës këtu gjatë tërë vitit. Arkivi i Kosovës ka mirëpritur vizitorë të ndryshëm si nga Kosova dhe nga vendet e tjera… Bëj ftesë publike të gjitha institucioneve që t’i kushtojnë më shumë vëmendje arkivit, sepse është themeli i shtetësisë së Kosovës”, u shpreh ajo.

Ajo shton se ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit kanë marrë një mbështetje nga Ministra e Kulturës, derisa thotë se tri nga komunat e Kosovës, janë në proces të investimeve kapitale.

“Këtë vit kemi mbështetje nga Ministria e Kulturës. Kemi investime kapitale. Arkivi i Kosovës operon me gjashtë njësi të saj nga arkivat ndër komunale, por fatkeqësisht asnjëra prej tyre nuk janë të vendosura në objektin vetanak. Këtë vit kemi investime kapitale në ndërtimin e tri objekteve të arkivave, arkivit të Prizrenit, Gjilanit, Mitrovicës”, theksoi ajo.

Restauratori Gjon Gegaj ka dhënë detaje për restaurimin e dokumentet me rëndësi.

“Dokumentet që dëmtohen në depo nga faktor të ndryshëm, kimik, fizik biologjik, i sjellin këtu që t’i restaurojnë. Kjo është një lëndë e cila është e dëmtuar, nga faktorët kimik biologjik dhe fizik. Së pari bëhet folimi, pastrimi i thatë me pambuk, dezinfektimi, pastrimi dhe me gomë, larja e dokumenteve, presimi dhe në fund është procesi i restaurimit. Çfarë nënkuptojmë me restaurim, është mbushja e dokumentit i cili mungon me letër japoneze, boshllëqe. Kjo është një lëndë e cila është shumë e dëmtuar, e cila duhet të trajtojë të gjitha proceset qe i përmenda më herët. Kjo është një lëndë e gjykatës. Para se të fillojmë e bëjmë ekzaminimin se çfarë kemi nevojë të ndërhyjmë në këtë dokument”, theksoi ai.

E Zelije Shala, udhëheqëse e depos së Arkivit në Kosovë, gjersa shpjegon për dokumentet që ndodhen në këtë ambient, shprehet se kushtet në këtë depo nuk janë të përshtatshme dhe si pasojë po rrezikohet edhe shëndeti i punëtorëve.

“Këtu ruhen dokumentet shtetërore që i bëjnë Institucionet shtetërore… Dokumentet janë në gjuhën serbe, ka në gjuhën osmane, arabe, por dhe hulumtimet që janë bërë jashtë shtetit të Kosovës që kanë folur për shqiptarët nga hulumtues të ndryshëm dhe janë sjellë këtu si kopje… Kushtet nuk janë të përshtatshme, nuk ka temperaturë konstante, mungojnë investime shtetërore. Ndihmat janë të vogla që kanë ardhur herë pas here, nuk ka vazhdimisht vëmendje të veçantë… Gjithmonë kemi adresuar ankesa, por sikur kanë rënë në vesh të shurdhër… Puna në arkiv është shumë e rrezikshme, krahasohet me punën në miniera. Këtu janë armiqtë tanë të panjohur, janë të padukshëm, sepse rrezikon jetën e punëtorëve, pluhuri i madh, lagështia, myku që formohet prej letrës”, theksoi Shala.

Bekim Aliu zyrtar për digjitalizim, shton se për këtë vit është risi njohja e tekstit të dokumenteve, derisa thotë se njësia për digjitalizim po operon me dy punëtorë dhe kjo është njëra ndër problemet kyçe për një funksionalizim të mirëfilltë, marrë parasysh kërkesën e shumtë të dokumentacioneve.

“Arkivi i Kosovës përveç njësive të tjera ka edhe njësinë e digjitalizimit, e cila skanon dhe digjitalizon të gjitha formatet dhe dokumentet që ruhen në Agjencinë Shtetërore në Arkivat e Kosovës. Këtu përfshihen dokumentet që janë në mikrofilm, dokumente që janë video incizime, audio incizime të periudhave të ndryshme që janë bërë në Republikën e Kosovës… Arkivi i Kosovës i ka disa sisteme të menaxhimit të dokumenteve, një ndër to e cila është risi për këtë vit është njohja e tekstit të dokumentit brenda….Kërkesat janë të mëdha për të bërë hulumtime dhe palët për të marrë dokumentet që janë në interes të tyre. Dy punëtorë, dy zyrtarë në digjitalizim, janë jashtëzakonisht pak, ka nevojë për më shumë, të paktën dhjetë… Me dy persona nuk mund të arrish nivelin e duhur të kërkesave që ka, për të mundur të ofrojmë dokumentacionin e nevojshëm që palët kanë interes”, potencoi ai.

Hapja e arkivit për vizitorë është deri më 24 mars.

Back to top button