Në Deçan shfaqet rrëfimi i familjeve kosovare që strehuan hebrenjtë

Levy Rachel-Drummer erdhi në Deçan në shenjë falënderimi për familjet kosovare

Në komunën e Deçanit është shënuar Dita Përkujtimore e Holokaustit përmes dokumentarit “Trashëgimtarët e një historie shpëtimi”.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, disa familje në Deçan kishin strehuar hebrenj të përndjekur dhe i kishin ndihmuar ata të kalonin kufirin.

Një prej këtyre familjeve ishte edhe ajo e Arsllan Rezniqit, që strehoi mjekun hebre Haim Abravanel, historia e të cilëve u shfaq përmes këtij dokumentari.

Mbesa e mjekut Abravanel, Levy Rachel-Drummer erdhi në Deçan në shenjë falënderimi për familjet kosovare që ndihmuan njerëz të popullit të saj.

Ajo u shpreh e emocionuar që po viziton vendin ku u shpëtua gjyshi i saj, njëherësh tha se historia e tyre duhet të shërbejë si mesazh për botën.

“Nuk është vetëm për familjet tona, historia mes dy familjeve tona është mesazh për gjithë njerëzimin. Ne mësuan këtu se çdo gjë sillet rreth njerëzve. Njerëzit mund të krijojnë, njerëzit mund të shkatërrojnë. Ne mësuam po ashtu se kur njerëzit janë shpirtmirë, pason e mira”, ka thënë Rachel-Drummer.

Ajo tha se po përpiqet ta përçojë këtë histori edhe në vendin e saj, e njëherësh ftoi qytetarët e Deçanit që ta vizitojnë Izraelin.

Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se dyert e familjeve të Deçanit kanë qenë gjithmonë të hapura për njerëzit që kanë qenë në hall dhe mysafirët. Ai shtoi se qytetarët e Deçanit sot po ndihen krenarë dhe do t’i kujtojnë gjithmonë miqtë hebrenj.

“Siç e dini dhe keni dëgjuar, gjatë Luftës së Dytë Botërore, populli jonë i hapi dyert duke dhënë besën, duke bërë të mundur shpëtimin e shumë familjeve hebreje. Nuk është vetëm familja Rezniqi që i ka shpëtuar, por ka edhe shumë familje tjerë të kësaj treve që kanë kontribuar në strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve. Kjo pjesë e historisë ende nuk është ndriçuar dhe duhet të punohet edhe më shumë për këtë”, ka thënë Ramosaj.

E pikërisht në këtë datë, Ramosaj ka njoftuar që do ta shpallin qytetar nderi të Deçanit mjekun hebre Haim Abravanel, pasi që ky i fundit kishte mjekuar pacientët e Deçanit gjatë qëndrimit në këtë komunë.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt. Ai tha se njerëzit duhet të marrin mësim nga historia, e njëherësh bëri thirrje që të ruhet humaniteti.

“Historia kurrë nuk përsëritet në të njëjtën mënyrë, andaj duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe të jemi gati për të marrë përgjegjësi kurdo që është nevoja. Nëse ky është një mësim prej asaj që ndodhi 70 vite më parë ose më shumë, atëherë çdo gjë që ndodhi, të gjitha sakrificat nuk kanë shkuar kot”, ka thënë Heldt.

Në emër të familjes shpëtimtare të Arsllan Rezniqit, foli nipi i tij, Lekë Rezniqi, i cili tha se për familjet e Deçanit kjo ditë është e veçantë, sepse shfaqë kontributin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve.

“Përderisa bota e shënon në forma të ndryshme këtë ditë, ne shqiptarët ndjejmë krenari, për shkak se përderisa hebrenjtë në tërë botën po përndiqeshin vetëm për shkak të identitetit të tyre, ishin shqiptarët ata të cilët i hapën shtëpitë e tyre edhe i shpëtuan duke i strehuar dhe duke iu mundësuar mbijetesën e tyre gjatë këtyre ngjarjeve të tmerrshme”, ka thënë Rezniqi.

Gjatë ceremonisë, Ramosaj shpërndau dhurata e mirënjohje për doktoreshën Rachel-Drummer, si dhe ambasadorin gjerman Heldt.

Pavarësisht se shqiptarët nga Kosova dhe Shqipëria shquhen për ndihmën që iu kanë dhënë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, Izraeli ende nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

27 janari në botë shënohet si Dita e Përkujtimit të Holokaustit.

Vlerësohet se rreth gjashtë milionë njerëz u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore si pasojë e politikave naziste për shfarosjen e popullit hebre.

Back to top button