Dita ndërkombëtare e tyre po i gjen zjarrfikësit në Kosovë në gjendje mjaft të vështirë. Statusi i padefinuar, mosdefinimi i kompetencave menaxhuese mes pushtetit lokal dhe qendror, mungesa e kushteve të punës, mospërmbushja e obligimeve nga punëdhënësit për kompensim, janë disa nga problemet kryesore me të cilat ballafaqohen çdo ditë.

Përveç problemeve të shumta me të cilat po përballen, ata nuk posedojnë as kushte elementare në objektin e tyre të punës.

Lagështia ka dëmtuar tavanin e objektit dy katësh, ndërsa edhe muret e objektit nuk janë hiç më mirë.

Në dhomat ku zjarrfikësit mund të pushojnë, shihen kovat e ujit të cilat janë të vendosura në vendet ku zakonisht bien pikat e shiut, të cilat nuk i ndal dot kulmi.

Sikur të mos mjaftonte kjo, në shërbimin e zjarrfikësve të Kosovës ka mungesë të stafit punonjës. Janë rreth 800 zjarrfikës të angazhuar në nivel vendi, numër ky dukshëm i vogël në krahasim me numrin e intervenimeve që brenda një viti kanë, e që varion mes 8 mijë -10 mijë raste.

Ndonëse sot do të duhej të ndjeheshin më mirë për shkak të Ditës Ndërkombëtare që iu kushtohet atyre, zjarrfikësit në Kosovë ankohen se përveç mungesës së kushteve të punës, të martën nuk i ka vizituar asnjë nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

Shofer-zjarrfikësi, Vezir Berisha thotë se qeverisë së Kosovës, por edhe Komunës së Prishtinës duhet t’i vijë turp që nuk janë kujtuar që së paku t’i urojnë në ditën dedikuar atyre.

Ai thotë për se zjarrfikësit janë të parët që hyjnë në zjarr, porse në ditën e tyre, askush nuk kujtohet për ta.

Përkundër vështirësive që kanë në vendin e tyre të punës, Berisha thotë se ajo që i mban në krye të detyrës është dëshira për të shpëtuar jetë, e që sipas tij, kjo është edhe kënaqësia e vetme që kanë.

Kryetari i Sindikatës të Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka thotë se 4 Maji po i gjen në gjendje të vështirë zjarrfikësit e Kosovës, për çka shton se kjo ditë do të duhej t’u shërbente institucioneve që të bëjnë zgjidhje për këtë shërbim të domosdoshëm emergjent.

Sa i përket numrit të zjarrfikësve të angazhuar në nivel vendi, Beka thotë se është shumë më i vogël nga sa do të duhej të ishte.

Ai apelon institucionet që të gjejnë një zgjidhje për ta, në mënyrë që shpëtimtarët e Kosovës të kenë kushte adekuate të punës sikurse në të gjitha vendet tjera.

KosovaPress ka provuar të marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me kërkesat e zjarrfikësve, mirëpo kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje.