Kaloni te përmbajtja kryesore

Në FSK u mbajt ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare ”Ushtari më i mirë 2022”

Forca e Sigurisë së Kosovës sot në kazermën ”Skënderbeu” në Prishtinë ka realizuar garën ndërkombëtare të ushtarit më të mirë për vitin 2022.
Në këtë ceremoni pjesëmarrës ishin 39 garues nga Kosova, Shqipëria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Kanadaja, Iowa (SHBA), dhe Turqia, si pjesë e KFOR-it.
Pjesëmarrësit garuan në disiplinat si: testi fizik, njohuri të përgjithshme, gjuajtje me armë të gjata, navigim tokësor, kalimi i poligonit të besueshmërisë, hedhja e granatës, ndihma e parë, vëzhgimi i terrenit dhe marshimi.
Siç bëhet e ditur nga Ministria e Mbrojtjes, ushtari Haxhi Krasniqi, është shpallur ”Ushtari më i mirë 2022 i FSK-së” dhe pas tij u radhitën ushtarët Ejdon Mulaku dhe Qëndrim Asllanaj.
Ndërsa, ushtari nga Kandaja, Simon Buies, u shpall ushtari më i mirë ndërkombëtar, i përcjellë nga ushtari amerikan, Jaron Springer dhe ushtari turk, Oliver Verrete.
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni, theksoi se qëllimi primar i FSK-së në garën e ushtarit më të mirë është rritja e aftësive ushtarake, fitnesit dhe zgjedhja e më të mirit. Ai shtoi se kjo garë një javore, që tashmë është tradicionale, promovon vlerat, profesionalizimin dhe ndihmon pjesëmarrësit të shkëmbejnë përvojat me kolegët e vendeve partnere.
“Pjesëmarrja e garuesve nga ushtritë e vendeve partnere në këtë garë e dëshmon shkallën e lartë të bashkëpunimit me vendet partnere dhe që FSK është forcë profesionale e disiplinuar, motivuar dhe kontribuuese e sigurisë në regjion dhe me gjerë”, tha Syla.
Më tej, zëvendësministri Syla shtoi se Ministria e Mbrojtjes dhe gjithë Qeveria e Republikës së Kosovës, si përgjegjëse e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit, ka objektiv kryesor ndërtimin e forcave sipas standardeve të vendeve të NATO-s.
Ndërsa Shefi i Stafit të Shtabit të FSK-së, Gjeneral brigade Jeton Dreshaj tha se FSK është duke ngritur dhe zhvilluar ushtarë me karakter dhe te devotshëm në mbajtjen e vlerave dhe standardit më të lartë fizik dhe psikik.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin edhe Gjeneral brigade Naim Haziri, si dhe oficerë të tjerë të lartë, nënoficerë dhe ushtarë të FSK-së si dhe të vendeve pjesëmarrëse./21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button