Putin pranon ftesën për samitin e G20 në nëntor

Presidenti rus, Vladimir Putin ka pranuar një ftesë për të marrë pjesë në samitin e G20 që do të mbahet në ishullin indonezian të Bali në nëntor, tha presidenti i vendit, Joko Widodo në një deklaratë të premten.
“Indonezia dëshiron të bashkojë G20. Mos lejoni që të ketë një ndarje. Paqja dhe stabiliteti janë çelësi i rimëkëmbjes dhe zhvillimit të ekonomisë botërore”, tha Widodo në deklaratën e kabinetit të Indonezisë, transmeton rtv21.tv.
Widodo gjithashtu i bëri një ftesë në fillim të kësaj jave presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili shkroi në Twitter se ishte “mirënjohës” për ftesën, por nuk specifikoi nëse do të merrte pjesë në samit.
Në fillim të kësaj jave, Widodo foli me Putinin dhe Zelenskyn në telefonata të veçanta, gjatë të cilave ai i përcolli Putinit rëndësinë e përfundimit të luftës në Ukrainë “menjëherë” dhe dëshirën e Indonezisë për të kontribuar në një zgjidhje paqësore të konfliktit, sipas deklaratës.
Widodo tha se ai i përcolli Zelenskyt gatishmërinë e Indonezisë për të ofruar ndihmë humanitare për Ukrainën, por jo ndihmë ushtarake, e cila ai tha se është e ndaluar nga kushtetuta e Indonezisë dhe parimet e saj të politikës së jashtme./21Media

Back to top button