“Ne jemi çlirimtarë, Kurti të kërkoj falje”, veterani vendos pankarta para Qeverisë

Veterani i luftës së UÇK-së, Agim Pllashniku, ka protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku edhe ka venduar fotografi të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Gjatë protestës, Pllashniku kundërshtoi deklaratat e kryeministrit Albin Kurti ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke thënë se ai duhet të kërkojë falje atyre, veteranëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve.
Ai gjithashtu e cilësoi Lëvizjen Vetëvendosje si “organizatë terroriste”, duke pretenduar se ka vepruar kundër shtetit të Kosovës.
“Me u thanë zullumqarë këtyre, Albin Kurti nuk ka kurrfarë arsyeje, se ne jemi çlirimtarë. Ata që e sulmojnë shtetin janë terroristë. Edhe Vetëvendosja është organizatë terroriste, se e ka sulmuar shtetin e Kosovës, të cilin këta e kanë çliruar. Këta po e mbrojnë edhe në Hagë pavarësinë e Kosovës, po e mbrojnë krejt Kosovën, krejt popullin shqiptar dhe trojet shqiptare. Kështu që kjo është hera e fundit që i bëj mesazh, dhe le ta dijë mirë Albin Kurti: nuk guxon më me e ofenduar asnjë çlirimtar. Hiç, hiç s’guxon Albin Kurti, e as njerëzit e tij nuk guxojnë as me sha, as me fyer çlirimtarin. Nëse ka diçka, fakte për ndonjë çlirimtar, qysh këtu është shteti ynë, këtu janë Prokuroria, Gjykata dhe Policia, le t’i dërgojnë atje, e jo me ofendu çlirimtarin. Aq ma keq tash kur këta janë në Hagë. Merret Albin Kurti edhe me këta, se kur Rexhep Selimin e quan zullumqar, atëherë më ka quajtur edhe mua, edhe krejt anëtarët e familjes sime veterane”, tha ai.
Duke folur për ish-udhëheqësit e UÇK-së që po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, tha se ata po mbahen padrejtësisht, derisa shtoi se Kurti duhet ta dijë që ata janë çlirimtarë e jo zullumqare.
“Na jena çlirimtarë se e kemi çliru Prishtinën, e kemi çliru Kosovën. E themeluesit e UÇK-së janë duke u mbajt qe 6 vjet në Hagë padrejtësisht, paraburgim me aktakuza të Serbisë. Kështu që këta janë themelues të UÇK-së, nuk janë zullumqarë, duhet me ditë Albin Kurti, por janë çlirimtarë. Edhe Albin Kurti duhet me na kërku falje neve, ma së pari këtyre që janë në burg tani, e pastaj krejt veteranëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës, familjeve të viktimave të masakrave të gjithëve duhet me u kërku falje Albin Kurti. Se përndryshe, nëse nuk kërkon falje, ne kemi me bërë një protestë shumë të madhe, domethënë që ka me u dridhur krejt Kosova”, përfundoi Pllashniku.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?