Kaloni te përmbajtja kryesore

Reagon AMPEK: Mundësia e mbylljes së një emisioni televiziv precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për lirinë e medias

Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës – AMPEK shpreh shqetësimin e  thellë dhe kundërshton fuqishëm deklaratën e nënkryetares së Komisionit të Pavarur të  Mediave – KPM, Drita Morina, e cila ka propozuar shqyrtimin e mundësisë së ndalimit të  emisionit “Debat Plus” që transmetohet në RTV Dukagjini.

AMPEK konsideron se një deklaratë e tillë është e papranueshme dhe në kundërshtim me  parimet themelore mbi të cilat duhet të funksionojë një rregullator i pavarur i medias në  një shoqëri demokratike. Vetë fakti që nga niveli drejtues i KPM-së përmendet mundësia  e mbylljes ose ndalimit të një emisioni televiziv për shkak të deklaratave të një mysafiri  në studio, përbën një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për lirinë e medias dhe  debatin publik në Kosovë.

Mediat nuk mund dhe nuk duhet të vihen në pozitën e censurimit paraprak të mysafirëve  politikë, analistëve apo pjesëmarrësve në debat. Nëse çdo deklaratë kontroverse e bërë  nga një i ftuar do të shndërrohej në bazë për kërcënime me mbyllje emisionesh, atëherë  do të vihej në pikëpyetje vetë pluralizmi i mendimit.

Veçanërisht shqetësues është fakti se kjo deklaratë është bërë në kontekstin e trajtimit të  një ankese të paraqitur nga një përfaqësuese e Qeverisë në detyrë. Në rrethana të tilla,  deklaratat për ndalimin e një emisioni kritik krijojnë perceptim të fortë të ndërhyrjes  politike dhe dëmtojnë besimin e publikut në pavarësinë dhe paanshmërinë e KPM-së.

AMPEK vlerëson se roli i KPM-së nuk është të frikësojë mediat apo të promovojë masa që  mund të prodhojnë efekt censure, por të garantojë zbatimin e ligjit duke respektuar standardet më të larta të lirisë së shprehjes dhe të medias. Kërcënimet për mbyllje  emisionesh nuk kanë vend në diskursin e një institucioni që duhet të mbrojë pluralizmin mediatik dhe jo ta kufizojë atë.

Për këtë arsye, AMPEK kërkon nga KPM që të distancohet qartë nga çdo propozim që  synon ndalimin e programeve mediale për shkak të deklarimeve të pjesëmarrësve në  debate dhe të riafirmojë publikisht përkushtimin e saj ndaj standardeve demokratike,  lirisë së medias dhe pavarësisë editoriale.

Po ashtu, AMPEK u bën thirrje institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë që

monitorojnë lirinë e medias në Kosovë, të përcjellin me vëmendje këtë zhvillim, pasi deklarata të tilla nga zyrtarë të lartë të rregullatorit medial rrezikojnë të krijojnë klimë presioni dhe vetëcensure në media.

Liria e medias nuk mbrohet duke heshtur zërat kritikë. Ajo mbrohet duke garantuar që  mediat të mund të raportojnë, të debatojnë dhe të transmetojnë mendime të ndryshme  pa frikën se një institucion publik mund të kërkojë mbylljen e emisioneve për shkak të  përmbajtjes së debatit publik.

Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës do të kundërshtojë çdo  përpjekje që cenon pavarësinë editoriale të mediave dhe të drejtën e qytetarëve për t’u  informuar përmes një debati të lirë dhe pluralist.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button