Në Kampionatin Evropian “Bullgaria 2022” Kosova përfaqësohet nga katër xhudistë
Nesër do të fillojë Kampionati Evropian i xhudos, “Bullgaria 2022”, i cili do të mbahet deri më 1 maj, në Sofie të Bullgarisë. Kosova në këtë kampionat do të përfaqësohet nga katër xhudistë.
Ekipi do të përbëhet nga dy kampionët e Evropës nga viti i kaluar, Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova, si dhe Flaka Loxha e Laura Fazliu.
Siç ka informuar Komiteti Olimpik i Kosovës, kampionia olimpike, Krasniqi do të garojë në kategorinë deri në 52 kilogramë, Gjakova në -73 kg, Loxha në -57 dhe Fazliu në -63 kg.
Kampionia olimpike, Nora Gjakova dhe medalistja e bronztë e botës 2019, Loriana Kuka, do të mungojnë shkaku i lëndimeve.
Krasniqi dhe Loxha do të garojnë nesër, ndërsa Fazliu dhe Gjakova të shtunën.
Në Evropianin e fundit, të mbajtur në Lisbonë të Portugalisë, ekipi i xhudos ka fituar tri medalje, dy të arta dhe një të bronztë, me ç’rast e ka mbyllur kampionatin në vendin e parë për nga numri i medaljeve të arta./21Media