Shaip Kamberi fiton edhe një mandat në kuvendin e Serbisë

Shaip Kamberi, kandidat për deputet të Kuvendit të Serbisë, ka thënë se ka marrë mjaftueshëm vota edhe për një mandat si deputet pas procesit të rivotimit në shkollën “Muharrem Kadriu” në Tërnoc të Bujanocit.
“Po, kemi marrë 679 vota që janë të mjaftueshme për një mandat. Tash i kemi gjithsej 13 mijë e 697 vota”, ka thënë ai
Sot në shkollën ‘Muharrem Kadriu’ në Tërnoc të Bujanocit është zhvilluar procesi i rivotimit për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
Për këtë ripërsëritje, sot kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të Luginës së Preshevës që ta votojnë koalicionin e shqiptarëve të Luginës për ta bërë edhe njëherë deputet në Parlamentin serb Shaip Kamberin.
Kamberi, i cili në zgjedhjet e 3 prillit garoi në kuadër të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, kishte kërkuar ripërsëritje të votimit, pasi që sipas tij këto zgjedhje u karakterizuan me dalje të ulët të shqiptarëve, për shkak të, siç tha, pasivizimit të adresave të shqiptarëve.
Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës, që përbëhet nga Partia për Veprim Demokratik bashkë me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik mori 9,644 vota të cilat nuk ia dhanë një mandat shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë.
Partitë shqiptare në Serbi në këto zgjedhje garuan me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë. Këto dy lista kanë marrë afër 13,000 vota./kallxo.com

Back to top button