Në këtë vend qepa është luks, kushton më shumë se mishi

Të gjitha restorantet në Filipine kanë kohë që po përballen me mungesën e qepëve. Për këtë shkak, shumë prej tyre u detyruan të theksojnë në menytë e tyre – “pa salcë qepe”.
Sipas statistikave zyrtare, çmimi i qepëve muajin e kaluar u rrit në rreth 700 pesos filipinase ose rreth 11 euro për kilogram, që është më i lartë se çmimi i mishit dhe paga minimale ditore në këtë vend të Azisë Juglindore.
Megjithëse çmimet kanë rënë javët e fundit, qepët janë ende një luks për shumë konsumatorë, ka thënë Rizalda Maunes, pronare e një picerie në Cebu City.
“Dikur blinim tre deri në katër kilogramë qepë në ditë. Tani blejmë gjysmë kilogrami, që është gjithçka që mund të përballojmë. Klientët tanë e kuptojnë sepse nuk ka të bëjë vetëm me restorantet…është e vështirë për familjet sepse qepët i shtohen shumë pjatave”, ka thënë ajo për BBC-në.
Një nga përbërësit kryesor në kuzhinën filipinase është bërë simbol i rritjes së kostos së jetesës. Inflacioni në këtë vend arriti kulmin në 14 vjet muajin e kaluar.
Presidenti Ferdinand Marcos Jr., i cili është edhe sekretar i Bujqësisë, e quajti rritjen e çmimeve të ushqimeve një “situatë emergjente”.
Në fillim të këtij muaji, Marcos autorizoi importimin e qepëve të kuqe dhe të verdha në një përpjekje për të rritur furnizimet. Ekspertët thonë se rihapja e ekonomisë së Filipineve ka rritur kërkesën, ndërsa kushtet e rënda të motit kanë ndikuar në prodhimin e ushqimit, përfshirë qepët.
Qepët kanë qenë aq të kërkuara sa që April Lyka Biorrey zgjodhi të mbante një buqetë me qepë në dasmën e saj në Iloilo City

Të tjerë janë futur në telashe për të kontrabanduar qepë.

Në fillim të këtij muaji, 10 anëtarë të ekuipazhit nga Philippine Airlines u hetuan për përpjekje për të kontrabanduar rreth 40 kg qepë dhe fruta në çanta.

Zyrtarët doganorë më vonë thanë se nuk do të përballen me akuza, por paralajmëruan udhëtarët që të mos transportojnë prodhime pa leje./21Media

Back to top button