Në një banesë në Mitrovicë sekuestrohen 67 aparate për prodhimin e kriptovalutave

 
Policia e Kosovës pasditen e sotme në një banesë në Mitrovicën e Jugut ka sekuestruar 67 aparate për prodhimin e kriptovalutave.
“Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Jugut, nën dyshime të arsyeshme për veprimtari të kundërligjshme në orët e pasdites së sotme kanë realizuar një bastisje. Si rezultat i hetimeve është arritur të lokalizohet dhe identifikohet lokacioni, me ç’rast bastisja është realizuar në një banesë në rrugën ‘Fan Noli’ në Mitrovicën e Jugut. Gjatë bastisjes për veprimtari të kundërligjshme janë gjetur dhe sekuestruar 67 aparate të lidhura me pajisje elektrike dhe internet që dyshohen se përdoreshin për prodhimin e kriptovalutave”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Për pajisjet e gjetura dhe veprimtarinë e kundërligjshme hetuesit policor kanë identifikuar personin e dyshuar.
Tutje në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se lidhur me veprimet e ndërmarra dhe pajisjet e sekuestruara është njoftuar prokuroi i çështjes i cili ka sugjeruar që për veprime të mëtejme hetimore lidhur me rastin dhe pajisjet e sekuestruara të merren autoritetet doganore.
Gjatë ditës së sotme, Policia ka sekuestruar tri aparate për prodhimin e kriptovalutave, edhe në fshatin Surkish të komunës së Podujevës./21Media

Back to top button