Në Prishtinë, 33 institucione arsimore ngrohen me naftë
Drejtoria e Arsimit thotë se janë duke punuar që ta zëvendësojnë
Në komunën e Prishtinës janë 33 institucione arsimore të cilat sistemin e ngrohjes e kanë me naftë. Madje me naftë ngrohen edhe disa çerdhe dhe kopshte të kryeqytetit, ani pse kjo lëndë konsiderohet se ka veti kancerogjene.
Përderisa prindërit thonë se do të ishte mirë që kjo lëndë të zëvendësohet me diçka tjetër, Drejtoria e Arsimit në këtë komunë thotë se janë duke punuar që ta zëvendësojnë, por që është procedurë e kushtueshme dhe nevojitet buxhet.
Kujtojmë se në vitin 2014 në 43 institucione arsimore në kryeqytet ishte ndërprerë mësimi, pasi pas një analize që ishte bërë kishte dal niveli i lartë i sulfurit në naftën që ishte përdorur në shkolla.
Një nga shkollat e kryeqytetit që ngrohet me naftë është shkolla fillore “Naim Frashëri”. Po në këtë shkollë Ganimete Sopjani-Gashi, ka një fëmijë në klasën e katërt. Për të si nënë është shqetësuese që kjo shkollë ngrohet me naftë. Ajo thotë se do të ishe mirë që kjo lëndë djegëse të zëvendësohet.
“Është e dëmshme shumë, kuptohet kish qenë më mirë me u ngroh me dru apo me pelet për shkak të ajrit. Për shëndet më të mirë duhet me qenë drutë apo peleti. Është shumë e dëmshme”, ka thënë ajo.
Të njëjtin mendim e ka edhe Ymret Reshiti, i cili është kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës. Ai thotë se ka marrë disa ankesa nga prindërit rreth përdorimit të naftës në disa shkolla të Prishtinës.
Po ashtu, ai thotë se është problematike përdorimi i naftës për shkak të aromës që mund të liroj nëpër klasë.
“Me vetë faktin që ne jemi përfaqësues të interesave të tyre dhe ne merremi me shqetësimet të cilat ata i ngritin, në momentin që shqetësimet e prindërve paraqiten ne merremi me ato shqetësime dhe i adresojmë në institucionet përkatëse për të marrë përgjigjen e duhur. Ne konsiderojmë që përdorimi i naftës për ngrohje nuk është i dobishëm për shëndetin e fëmijëve, krahasuar me peletin apo përdorimin e ngrohjeve qendrore”, thotë ai.
Reshiti thotë se komunat së bashku me Ministrinë e Arsimit do të duhej të punojnë që sistemi i ngrohjes në shkolla të jetë me pelet apo me dru. Po ashtu, ai thotë se do të ishte mirë që shkollat të jenë në sistemin e ngrohtores së qytetit.
Një shkollë tjetër që ka sistemin e ngrohjes me naftë është shkolla “Elena Gjika”, por zëvendësdrejtoresha e kësaj shkolle, Agnesa Glloboder, thotë se nuk kanë probleme sa i përket ngrohjes. Megjithatë, shprehet se do të ishte më mirë që kjo shkollë të jetë e kyçur në sistemin e ngrohjes së ngrohtores së qytetit.
Zëvendësdrejtoresha për kp bëri të ditur se nuk kanë pasur ndonjë ankesë nga prindërit sa i përket asaj që shkolla ngrohet me naftë.
“E dini është një objekt shumë i vjetër, është objekt 103 vjeçar ku edhe ngrohtësia bëhet pak më me vështirësi, por për fat të mirë nuk e kemi pasur këtë problem asnjëherë, klasat janë të ngrohta. Nuk kemi erëra, pastrohet, mirëmbahet, kështu që nuk e kemi ndonjë ankesë apo ndonjë sëmundje nga ana e fëmijëve që ka ndikuar nafta në shëndetin e fëmijëve tanë… Mirëmbahet shumë nga stafi, personeli i shkollës, kështu që kontrollohet nga shtëpiaku gjithmonë dhe nuk kemi pasur asnjë problem, por mirë kish qenë normal që është edhe më e pastër, edhe higjienike dhe më e shëndetshme, që është më e rëndësishmja, të jemi me sistemin qendror të nxehjes”, është shprehur ajo.
Në anën tjetër, drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihu, ka deklaruar se janë duke analizuar për mënyrën se si mund ta zëvendësojnë naftën nëpër shkolla me ndonjë lëndë tjetër djegëse, madje shton se këtë e kanë prioritet.
Ai thotë se ky zëvendësim nuk mund të bëhet brenda ditës, pasi sipas tij, në shumë shkolla duhet të ndërrohet komplet sistemi i ngrohjes.
“Është e ngutshme të zëvendësohet nafta në çerdhe dhe kopshte, pasi kemi fëmijë të moshave të reja dhe bëjmë përpjekje që ato të kenë përparësi absolute. Unë e inkurajoj edhe Ministrisë e Ambientit edhe të Arsimit që të investojnë shumë më shumë në heqjen e naftës nga shkollat si lëndë djegëse. ..Sa i përket Komunës së Prishtinës, unë me kryetarin e kemi diskutuar shpesh këtë temë dhe po besoj që brenda këtij mandati qeverisës ne do ta zëvendësojmë të gjitha stufat që punojnë me naftë t’i zëvendësojmë me pelet. Diku ka me na dal investime pak më të mëdha për arsye se duhet me e ndërrua rrjetin përveç stufës, mi ndërrua oxhaqet që nuk i përgjigjen standardeve. Po këto janë investime të vogla në krahasim me harxhimet që i bëjmë ne nëse përdorim naftën si lëndë djegëse, ajo më të vërtet është shumë më e shtrenjtë, është tepër e kuptueshme për buxhetin tonë dhe në anën tjetër ësh të edhe e rrezikshme”, ka potencuar Salihu.
Kurse, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, thotë se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë ankesë sa i përket përdorimit të kësaj lëndë djegëse nëpër shkolla.
Ai thotë se nëse ka kërkesa që kjo lëndë të ndërrohet, si ministri do të gjejnë një mënyrë për të mbështetur komunat.
“Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë ankesë ose ndonjë konstatim apo analizë nga Ministria e Ambientit që të na rekomandojë neve si Ministri e Arsimit që edhe kjo lëndë tjetër ngrohëse po ashtu po shkakton dëme në ambient. Nëse do të vije deri tek një kërkesë e tillë ne do ta shqyrtojmë dhe do të gjejmë edhe forma me i stimuluar për me marrë një vendim që me u ndalua edhe kjo lëndë. Por, deri më tani nuk kemi pasur ndonjë kërkesë nga Ministria e Mjedisit”, ka thënë ministri Bytyqi.
Përndryshe, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë gjatë këtij viti ka marrë vendim që nëpër shkolla të ndalohet përdorimi i thëngjillit për ngrohje.