Në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, vëzhgues edhe nga BE-ja

100 vëzhgues nga BE-ja në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me të gjitha votat për, miratoi Memorandumin e Mirëkuptimit që do të nënshkruhet ndërmjet KQZ-së dhe Zyrës së BE-së në Kosovë për vëzhgimin e Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 11 qershor.

Ky Memorandum do të nënshkruhet brenda pak ditësh. Kryetarja Daka, njoftoi se do të jenë 100 vëzhgues nga Bashkimi Europian që do të përcjellin procesin zgjedhor në Kosovë. Anëtarët e KQZ-së theksuan rëndësinë e procesit të vëzhgimit të zgjedhjeve, që do të ndikonte në integritetin dhe rritjen e besueshmërisë në procesin zgjedhor.

Daka tha se këtë konfirmim e ka marrë nga përfaqësuesja e BE-së Natalya Apostolova. “Nga Apostolova mora konfirmimin se do të jenë 100 vëzhgues të cilët do të zbarkojnë të shtunën”, tha Daka.

Në këtë mbledhje, Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së bëri të ditur aktivitetet që janë duke u ndërmarrë në përgatitjen e Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 11 qershor. Halimi njoftoi KQZ-në se aktualisht është duke u zhvilluar procesi i krijimit të Listës Votuese e cila bazohet në ekstraktin e Regjistrit Qendror Civil.

Në vazhdim të mbledhjes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi Planin e Sigurisë për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, KQZ miratoi emërimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në 38 komunat e Kosovës. / 21Media

Back to top button