Trump mund të përballet me procedurën për shkarkim?

Presidenti amerikan në “telashe”

Lajmi se presidenti amerikan, Donald Trump, i ka përcjellë zyrtarëve rusë informata të fshehta, gjatë vizitës së tyre në Shtëpinë e Bardhë, ka çmendur zyrtarët në Uashington dhe në kryeqytetin e Amerikës gjithnjë e më shumë po dëgjohet termi, të cilin nuk dëshiron ta dëgjoi asnjë president amerikan, e që është procedura për shkarkim, shkruan rtv21.tv

Rreth përcjelljes së informatave të fshehta palës ruse sot u shpreh edhe Presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin, i cili mohoi informatat se Trump i ka përcjellë Llavrovit të dhëna të fshehta. Ai me këtë rast tha se mund t’i përcjellë senatit dhe Kongresit amerikan transkriptin e bisedës që Trump ka zhvilluar me Llavrovin. Siç shkroi gazeta britanike, Independent, presidenti Trump ndoshta kurrë nuk do të jetë i detyruar që të përballet me një procedurë të tillë, por shtoi se megjithatë, demokratët gjithnjë e më shpesh po kërkojnë që Dhoma e Përfaqësuesve ta shqyrtoi këtë mundësi.

Fillimi i procedurave për shkarkim nuk nënkupton domosdo largimin e një Presidenti nga funksioni, por megjithatë paraqet një situatë tejet serioze për kreun e shtetit. Ata që po kërkojnë shkarkimin e Trumpit po bazohen në kinse lidhjet e tij me Rusinë, akuza këto të cilat ende mbesin në fushën e spekulimeve. Teknikisht, vendimi i Trumpit për të ndarë informatat e fshehta me rusët është në përputhje me ligjin dhe Presidenti ka të drejtë t’i përcjellë një pale tjetër këto informata, nëse e konsideron këtë si të nevojshme.

Sipas Independet, tani, në bazë të anketave më të reja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për herë të parë që nga inaugurimi i Trumpit për president, shumica e amerikanëve u shprehën në favor të nisjes së procedurave për shkarkimin e tij. Për këtë u deklaruan 48 për qind e të anketuarve, ndërsa 41 për qind u shprehën kundër. Deri me tani, në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës tre presidentë janë përballur me procedurën e shkarkimit, më saktë Endru Xhonson, i cili i ofroi amnisti zyrtarëve të Konfederatës dhe vendosi veto në mbrojtjen e të drejtave të njeriut të ish-robërve, më pas Robert Nikson, për shkak të aferës Uotergejt dhe së fundi Bill Klinton, për shkak të aferës Levinski. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk u shkarkua, pasi që Xhonson dhe Klinton morën besimin e senatit, ndërsa Nikson dha dorëheqje para se të përfundonin procedurat për shkarkimin e tij./21Media

Back to top button