Negociatat, Presidenti i Parlamentit Evropian: Ka ende shpresë

Sassoli ka përgëzuar politikën shqiptare për dialogun e nisur për reformën zgjedhore

Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli ka shprehur besimin se ka ende kohë për të bindur vendet skeptike për të votuar pro hapjes së negociatave të integrimit me Shqipërinë.

Në takimin me kryeministrin, Edi Rama është theksuar se vendimmarrja nuk ka të bëjë më vetëm me reformat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, por çështja mbetet te debatet e brendshme të Unionit. “Ka ende kohë pët t’ju përgjigjur të gjitha pyetjeve dhe kërkesave për të bindur edhe vendet skeptike. PE, KE dhe 25 vende kanë qenë pro hapjes së negociatave që në tetor të vitit të shkuar.”, ka thënë Sassoli.

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur si në shqip dhe në anglisht që vendimi i unionit për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk varet më nga dy  shtetet.

Sassoli në takimin me Ramën ka shprehur edhe kritikat e tij në raport me detyrat e shtëpisë të Shqipërisë të vendosura nga Brukseli, ndërsa të dy zyrtarët kanë nënvizuar si mjaft të rëndësishme luftën kundër krimit të organizuar.

Gjatë fjalës në foltoren e Parlamentit, David Sassoli ka përgëzuar politikën shqiptare për dialogun e nisur për reformën zgjedhore, po ju ka kujtuar politikanëve shqiptarë që ka ende shumë punë për të bërë. Zyrtari i lartë i BE ka takuar edhe kreun e shtetit, Ilir Metën në Presidencë për të diskutuar mbi çështjen e negociatave dhe për ndihmën e dhënë nga Unioni për Shqipërinë e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit./oranews

Back to top button