Nëna e fëmijës së plagosur: Sulmuesi ka shtënë në tokë jo drejt në djemtë, i reagon Jevtiq

Nëna e djalit Stefan Stojanoviq, i cili u plagos me të riun tjetër në afërsi të Shtërpcës, Zorica Stojanoviq, ka deklaruar se janë plagosur pasi janë goditur nga plumbi që ka ndërruar drejtim, me rikoshe.
“Ka shtënë në rrugë, në asfalt, nuk ka qëlluar mbi ta (të rinjtë) dhe përveç djalit tim është plagosur edhe një i ri. Faleminderit Zotit është mirë, gjallë dhe shëndoshë”, tha Zorica Stojanoviq, shkruajnë mediat serbe
Ajo shtoi se të lënduarit fillimisht janë dërguar në Shtërpce e më pas janë sjellë në spitalin e Llapllasellës dhe se nuk e di se çfarë ka ndodhur saktësisht.
Por, Kryetari i Komunës së Shtërpcës dhe nënkryetar i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, ka deklaruar se A.K. ka qëlluar në një grup serbësh të veshur me rroba Krishtlindjesh dhe se, sipas tij, këtë e kanë thënë edhe dëshmitarët okularë të të shtënave pas të cilave mbetën të plagosur një djalë dhe një i ri me kombësi serbe. Ai përmendi edhe shkresat zyrtare të hetuesisë.
Jevtiq reagoi ndaj shkrimeve të mediave serbe që cituan një deklaratë të nënës së djalit të plagosur e cila tha se “sulmuesi nuk ka shtënë në drejtim të tyre por në tokë dhe plumbi ka ndërruar drejtim, me rikoshet”.
“Nëna e Stefanit në gjendje shoku nuk i kishte të gjitha informacionet. Mos abuzoni me dhimbjen e saj, qoftë nëse plumbi ka ndërruar drejtim (rikoshet) apo jo, ishte një përpjekje për vrasje”, ka shkruar Jevtic në Twitter.
Djali Stefan Stojanoviq dhe i riu Millosh Stojanoviq janë plagosur nga armë zjarri në fshatin Gotovushë, ndërsa Prokuroria Themelore ka dorëzuar kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj një të dyshuari shqiptar, i cili u arrestua menjëherë pas incidentit. Plagosja e dy serbëve në afërsi të fshatit Drajkovcë të Komunës së Shtërpcës u dënua ashpër nga zyrtarë serbë, kosovarë dhe ndërkombëtarë./21Media

Back to top button