Nëna shkon me veturë në Itali për të vaksinuar vajzën

Një nënë e ka çuar vajzën e saj 9 vjeçare nga Anglia në Itali në mënyrë që ajo të mund të vaksinohet kundër COVID-19.
Ndryshe nga disa vende evropiane, vaksina aktualisht është e disponueshme vetëm për fëmijët nën 12 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar nëse ata klasifikohen si klinikisht të prekshëm.
Por Alice Columbo është nisur për në Milano nga Maidstone, Kent, kështu që vajza e saj, e cila ka nënshtetësi italiane, mund të vaksinohet.
Ajo ka thënë se e bëri këtë për të mbrojtur “gjënë më të çmuar në botë”.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se këshilla të mëtejshme në lidhje me vaksinimin për 5-11-vjeçarët do të jepeshin në kohën e duhur pas shqyrtimit të të dhënave shtesë, por se shumica e fëmijëve në atë grupmoshë ishin në rrezik shumë të ulët për t’u sëmurë rëndë për shkak të koronavirusit.
“Më mirë do të rrezikoja një vaksinë për të cilën dimë mjaftueshme sesa një virus për të cilin dimë shumë pak”, ka thënë Columbo, përcjell rtv21.tv
“Pse mos të mbroj gjënë më të çmuar në botë për mua, vajzën time, në vend që të rrezikoj që ajo të kthehet nga unë pas 5, 10 apo 15 vjetësh, duke thënë ‘Mami, unë kam probleme me zemrën, kam probleme me trurin, kam probleme me mushkëritë, pse nuk bëre gjithçka që munde në atë kohë për të më mbrojtur mua'”, ka shtuar ajo.
Ajo ka treguar se kanë udhëtuar rreth 13 orë drejt Italisë me veturë, në mënyrë që të mos rrezikojnë vajzën në aeroplan ku ka qindra njerëz.
Duke shtuar se do të dëshironte që Britania e Madhe të përdorte vaksinat për fëmijët nën 12 vjeç, Columbo ka thënë se i vjen jashtëzakonisht keq për të gjithë ata prindër që dëshirojnë t’i vaksinojnë fëmijët e tyre./21Media

Back to top button