Nënë e bijë në rrugë, shpresojnë që dikush t’ua zgjasë dorën

Fikrete Bajrami dhe e bija e saj nuk kanë ku të jetojnë

Para 10 viteve, Fikrete Bajrami erdhi në Shkup për të filluar një jetë të re. Me vajzën 5 vjeçare u ulë në këtë vend dhe priti dikush t’ia zgjasë dorën.  Ajo thotë ka ikur nga shtëpia, pasi ka qenë e torturuar  nga ish-bashkëshorti.

“Vinte në shtëpi, pijan, më rrihte, më maltretonte. Unë jam invalid. Njeriun invalid e rreh si të duash. S’kisha rrugëdalje tjetër, e morra vajzën time për dore dhe erdha në Shkup. Tani 10 vite i bëj që po rri në Shkup. Nuk e njihja askënd. U ula këtu dhe prisja të më ndihmonin”, tha Fikrete Bajrami.

Shkaku i invaliditetit në njërën dorë dhe këmbë, ajo nuk mund të punon, prandaj ajo çdo ditë, ulet në këtë vend dhe pret që dikush t’ia zgjasë dorën. Ajo çdo ditë zgjohet në mëngjes me drojën se ku do fle natën tjetër. Gjatë këtyre viteve  natën e ka kaluar ku ka gjetur vend. Së fundmi thotë se një grua i ka marrë përkohësisht në shtëpinë saj.

“Unë këtu lypi për të jetuar. Aty më poshtë, një grua ma ka hapur derën. I erdhi keq, dhe më tha se nuk do të lë të bredhësh rrugëve. Por edhe ajo nuk ka kushte për të jetuar. Shtëpia është pothuajse duke u rrënuar. Para dy muajve kam qëndruar tek shtëpia pleqve e pastaj kam fjetur tek xhamia ”Allaxha”, shtoi ai.

Në një skaj të oborrit të xhamisë, ajo kishte vendosur rrobat e saja, sepse në shtëpinë që e kishin pranuar nuk kishte mjaftueshëm vend. Disa herë në ditë ajo vjen këtu për të marrë diçka që i duhet. Këtë herë erdhi për të marrë rroba për vajzën e saj.

E vetme, pa ndihmën e askujt u kujdes për vajzën e saj. Tani vajza ka mbushur 15 vjet.

”Unë mësoj në shkollën “Imri Elezi”. Jam klasa e 8. Dua të bëhem mësuese. Do rrimë këtu derisa dikush të na ndihmon. Kisha pasur dëshirë ta kem një dhomë timen. Shoqet më japin rroba për në shkollë. Nuk dua asgjë. Dua vetëm të kem një kulm mbi kokë. Të ndihem e sigurte”, tha Advije Bajrami, raporton TV21./21Media

https://youtu.be/MrVo8cVGpqA?t=1

Back to top button