Nënkryetari i PSD-së: Ahmeti e ka guximin dhe dijen për ballafaqim me Serbinë

Kastrati tha se i gjithë skeleti i VV-së ka kaluar në PSD

Të qenit bashkëkryesues i dialogut me Serbinë, shefi i tij partiak për kryetarin e Kamenicës, Qendron Kastrati, është avantazh për shtetin e Kosovës, sepse Shpend Ahmeti e ka dijen dhe guximin për t’u ballafaquar me shtetin serb.

Nënkryetari i PSD-së, Qendron Kastrati në një intervistë për kp, shprehet se qasja e Shpend Ahmetit dallon nga të gjithë të tjerët.

Kryetari i Kamenicës thotë se Ahmeti do të dëshmojë se do të ketë rol përafrues që do të përfshinte gjithë ata që ka nevojë, përfshirë shoqërinë civile për dialogun me Serbinë.

Sipas tij, ndryshe nga ata që nuk kanë guxim, i pari i kryeqytetit duhet të shfrytëzoi kapacitetin dhe potencialin e tij në shërbim të Kosovës.

“Unë mendoj që Shpend Ahmeti është jashtëzakonisht i qëlluar për me e ndihmuar, bashkëdrejtuar këtë delegacion shtetëror. Ai ka dëshmuar që qasja e tij është më përafruese dhe do të përfshinte, krijonte mundësin me u përfshi gjithë ata që kemi nevojë, përveç subjekteve që janë në Parlamentin e Kosovës…unë mendoj që e ka guximin, problemi është tek ata që nuk po e kanë guximin. Kryetari Ahmeti, realisht unë e vlerësoj shumë se po tregon se ka gatishmërinë dhe guximin me shfrytëzuar kapacitetin dhe potencialin dhe të tij, por dhe të subjektit, neve, për diçka që është Kosova”, tha i pari i komunës së Kamenicës.

Në lidhje me përmbajtjen brenda rezolutës, ai theksoi se ajo është shumë përmbajtjesore. Të rëndësishme e konsideron referendumin. Sipas tij, tashmë për çfarëdo vendimi në dialog me Serbinë do të pyetet qytetari.

Ndërsa, për kritikuesit e kësaj rezolute, Kastrati tha se të gjitha po bëhen për qëllime të caktuara dhe për të keqinformuar qytetarët.

“ Ne duhet me kuptuar këtu, nuk kanë me qenë emra të përveçshëm, delegacioni shtetëror iu krijon mundësi gjitha subjekteve që janë të përfaqësuara në Kuvend me marrë pjesë dhe vendimet do të merren me konsensus. Çka është shumë me rëndësi me theksuar është se parashihet edhe referendumi, pra për herë të parë në Kosovë, një marrëveshje me Serbinë qytetarët me dhanë mendimin e tyre, a është në rregull apo jo. Normalisht, Kuvendi i Kosovës duhet të marr mendimin e qytetarëve, në kuadër të asaj me nxjerr vendimin e çfarëdo marrëveshje që ka me shtetin serb. Për mua janë shumë të ulëta këto qëllime se si individë të caktuara, subjekte të caktuara mundohen me përfituar ose keqinformuar vetëm për me arrit me përfituar për vete, ose si subjekte”, shtoi Kastrati.

Kurse, për refuzimin e dy partitive opozitare për bashkëngjitje në dialogun me Serbinë, Kastrati është shprehur se këto po mundohen me përfituar prej situatës dhe po i shikojnë interesat personale.

Sipas tij, frika e LDK-së dhe VV-së, është e paqëndrueshme, sepse siç thotë ai, asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të kalojë pa shumicën në Kuvend.

“Për mua kjo është problem sepse po e mendon vetëm vetën, ku dëshiron me qenë dhe duhesh me përfituar prej një situate… marrëveshjet shtetërore janë çështje të Kuvendit të Kosovës. Unë nuk e kuptoj kur dikush, veçanti LDK dhe VV po shqetësohen për diçka që ka me ardhur në Kuvend dhe ka me u votuar prej tyre. Marrëveshjet ndërkombëtare duhet të votohen me dy të tretat, tetëdhjetë deputetë, nuk është e mundshme asnjë marrëveshje me u bërë, pa votat e LDK-së ose VV-së”, është shprehur ai.

Sa i për ketë shtrirjes në terren të PSD-së, kryetari i Kamenicës, beson se partia që ai përfaqëson do arrijë që në zgjedhjet e ardhshme të ketë një rol të rëndësishëm në skenën politike.

Kastrati konsideron se PSD-ja përbëhet prej njerëzve më të aftë që kanë qenë në Lëvizjen Vetëvendosje, siç thotë ai, i gjithë skeleti i VV-së ka kaluar në PSD.

“Realisht është duke shkuar mirë shtrirja e PSD-së në terren, normalisht këto temat që një pjesë të energjisë e marrin por qytetarët, ka shumë të interesuar të përfshihen në një subjekt socialdemokrat dhe është me rëndësi me theksuar se që skeleti i LVV-së, tash fatkeqësisht kanë dal prej këtij subjekti për shkak të qasjes së LVV-së. Mos të harrojmë që ata njerëz kanë jashtëzakonisht përvojë dhe dije, se si bëhen politikat dhe si organizohen”, deklaroi Kastrati.

Përndryshe, bashkë me Shpend Ahmetin, bashkryesues i delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë është edhe Fatmir Limaj.

Back to top button