Nënshkruhet Marrëveshja e Bashkëpunimit Bilateral të Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe homologu i tij kroat, Mario Banozic, nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit Bilateral të Mbrojtjes.
Pas takimit dhe në nivel të dy delegacioneve, ministrat pas aktit të nënshkrimit të marrëveshjes bilaterale, u deklaruan para mediave.
Mehaj tha se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje hapen rrugë për bashkëpunim edhe më të ngushtë në shkollim e trajnim të personelit ushtarak, zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta, mundësi për bashkë-zbarkime në operacione dhe misione ndërkombëtare, bashkëpunim më të theksuar në fushën e industrisë së mbrojtjes, e gjithashtu edhe në fusha të tjera.
“Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Kroacisë nuk janë vetëm diplomatike, për më tepër, ato janë miqësore pasi që të dy vendet i bashkon historia, sfidat e përbashkëta e që nënkupton interesa strategjike dhe vizione të përbashkëta, angazhim të përbashkët për çështje rajonale e globale, angazhim e dedikim për paqen e sigurinë e rajonit; e për këtë arsye jemi bashkë në rrugën e të ardhmes”, tha ministri.
Ai shtoi se partneriteti me Kroacinë është shumë i rëndësishëm pasi që është vend anëtar i NATO-s prej më shumë se 11 vjet dhe se Kosova e ka të njëjtin synim e aspiratë.
Nga ana e tij, Banozic tha se me të dy vendet do të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin e mirë jo vetëm në fushën e mbrojtjes por edhe në kontekstin politik dhe ekonomik.
“Republika e Kroacisë e mbështetë rrugëtimin euroatlantik të Kosovës dhe sikurse deri më tani, edhe më tej do të ofrojmë ndihmë të fuqishme në këtë proces. Ne e mbështesim procesin e transformimit të FSK në Forca të Armatosura”, tha Banozic.
Gjithashtu, ai tha se dëshiron që sa më shpejt Kosova të jetë anëtare me të drejta të plota në organizatat dhe iniciativat rajonale, siç është edhe iniciativa e Kartës së Adriatikut A-5, pasi që sipas tij, kjo është mënyra e duhur për forcimin e dialogut rajonal dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe që mund të jetë pjesë integrale e përgjigjes ndaj sfidave të sigurisë në rajon.
Ministri kroat i Mbrojtjes së bashku me delegacionin e tij, do të vizitojë dhe bëjë nderime në Kompleksin Memorialin “Adem Jashari” në Prekaz./21Media

Back to top button