“Nëntori i Shqiptarëve”, Konjufca tregon nëse duhet të ketë një republikë të tretë

“Nëntori i Shqiptarëve” ka qenë tema e diskutimit të organizuar sot nga Lëvizja studentore “Studim, kritikë, veprim”, në të cilin ka marrë pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca dhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Konjufca me këtë rast është përgjigjur në pyetjet e studentëve, e që një nga to ka qenë se a duhet të shpallet një Republikë e tretë, pas 12 korrikut 1990 dhe 17 shkurtit 2008.
Ai ka thënë se nuk duhet të shpallet republika e tretë, por që tha se ajo duhet të bëhet për ta pasur një republikë pa kufizime.
Kreu i Kuvendit ka theksuar se Kushtetuta nuk mund të ndryshohet pa votat e 10 deputetëve serbë në Kuvend edhe nëse çështja nuk ka të bëjë me serbët.
“Në momentin që preket Kushtetuta e Kosovës edhe për diçka që nuk ka lidhje me serbët hiq, 10 votat e serbëve janë të domosdoshme, se kurrfarë ndryshimi i Kushtetutës nuk mund të ndodh pa dy të tretën e pakicave, e pakicat janë 20, po dy të tretat po i bien edhe disa deputetë serbë, pra nëse e vendosim në këtë kontekst i bie që meqenëse Lista Serbe i kontrollon të gjithë deputetët serbë në Kuvend, e Listën Serbe e kontrollon Vuqiqi, atëherë a po i bie që pa vullnetin e tyre nuk mundesh ta ndryshosh Kushtetutën e Kosovës, kështu që kjo është goxha njëfarë kufizimi… Me ta bllokuar Parlamentin e Kushtetutën dhe ti të mos mundesh ta prekësh, ti dëshiron të ndryshosh për arsim diçka nuk mundesh, 10 serbë janë më të rëndësishëm se 110 të tjerë, e kanë të drejtën e vetos. Atëherë ky nuk ka qenë qëllimi jonë fillestar për ta bllokuar Kosovën. Në këtë kuptim republika e tretë që po pyet ti do të ishte ndoshta një punë e jona e përditshme për të shkuar në atë drejtim për t’i hequr të gjitha gjërat e panevojshme dhe të cilat na pengojnë në kryerjen e detyrave tona institucionale dhe për të pasur një shtet më funksional dhe kësi kufizime që i shpjegova e pengojnë. Në këtë kuptim po, unë jam për ta bërë republikën, po kështu të shpallet e të lexohet nuk besoj që ka nevojë, ajo më duket shumë pompoze”, ka theksuar Konjufca.
Kryetari i Kuvendit duke folur për historinë e shqiptarëve ndër shekuj, ka thënë se çdo gjë që ka ndodhur me shqiptarët “gjeneratori” ka qenë Rilindja Kombëtare.
“Unë konstatoj që ky projekt në veprimtarinë kolektive shqiptare është gjeneratori edhe forca shtytëse kryesore edhe sot e kësaj dite. Pra, gjithçka që ka ndodhur në Kosovë prej vitit 1945 pas Luftës së Dytë Botërore, gjithçka që ka ndodhur në Kosovë në vitet e 90-ta edhe këto zhvillime kanë kulmuar me luftën tonë të ushtrisë së lavdishme të UÇK-së, unë mendoj që gjeneratori kryesor kanë qenë ai projekt – Rilindja jonë Kombëtare që na i ka shpjeguar koordinatat e kombit tonë”, ka thënë ai.
Në këtë diskutim me studentët ka marrë pjesë edhe deputeti nga Bujanoci në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili ka thënë se në vazhdimësi kërkojnë nga Tirana dhe Prishtina që të ndikojnë në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Ajo që ne në vazhdimësi po kërkojmë edhe nga Tirana edhe nga Prishtina që në kuadër të mundësisë që i kanë, Shqipëria si anëtare e OKB-së dhe gjithë mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë, si njëra ndër tre partnerët e marrëveshjes trelaterale të ‘Open Balkan’ të ndikojnë në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve. Nëse ‘Open Balkan’ do të jetë vetëm për të shtuar numrin e turistëve serbë në Shqipëri, atëherë është e kotë. Nëse kjo iniciativë nuk reflekton pozitivisht me ndryshimin e kursit të Serbisë në drejtim të respektimit të të drejtave të shqiptarëve, atëherë nga këndi jonë është e pavlefshme. Një bashkëpunim në Ballkan, për një stabilitet të Ballkanit mund të ndërtohet vetëm atëherë kur definohet çështja e Kosovës në raport me Serbinë”, ka thënë ai.
Kamberi ka theksuar se shqiptarët janë pakica e vetme në Serbi që përballet me probleme të cilat janë jetike.
Ndërkaq, gazetari Marin Mema, ka thënë se kur shqiptarët janë të bashkuar janë më të fortë dhe se të gjitha gjërat mund të përballohen më thjeshtë. Ai ka theksuar se tashmë është koha që Tirana dhe Prishtina të jenë shumë afër njëra-tjetrës dhe të ecin në një rrugë të përbashkët.
“Është koha që Tirana dhe Prishtina të jenë shumë afër njëri-tjetrit, të ecin në një rrugë të përbashkët. Nuk më intereson ngjyra e asnjë force politike, sepse ajo nuk duhet të jetë më e rëndësishme sesa flamuri i të parëve tanë. Të gjitha problemet që kanë partitë politike në Tiranë apo në Prishtinë, nëse kanë diçka personale mes tyre, le të mbyllen në një zyrë e të zihen sa të duan me njëri-tjetrin, por kur të dalin jashtë ata duhet të tregojnë se ne jemi të bashkuar, i mbajmë qëndrimet të bashkuar, dimë të reagojmë së bashku, dimë të jemi më të fortë së bashku. Kjo është për mua më e rëndësishme se gjithçka”, ka theksuar ai./KP
 

Back to top button