“Nëse diga e Ujmanit nuk është ruajtur 24 orë ka dështuar hallka e sigurisë”

Ekspertë të antiterrorizmit dhe sigurisë kanë vlerësuar se në rast se diga e Ujmanit ka mbetur pa mbikëqyrje fizike dhe elektronike ka dështuar hallka e sigurisë në Kosovë. Ata ngritën alarmin se me gjetjen e armatimit të ri përveç mbetjeve të Banjskës situata e sigurisë në vend është shqetësuese. Sipas tyre Serbia po përgatit plane të reja për veriun e vendit.

Eksperti i anti-terrorizmit Kolë Krasniqi, tha se sulmi i së premtes mbi infrastrukturën kritike të Kosovës është vazhdimësi e destabilitetit në veri të vendit. Sipas tij qarqet ekstremiste serbe llogarisin në një mundësi të fitores së Rusisë në Ukrainë dhe vendosjes së një rendi të ri botëror që do të mundësojë një zgjidhje për veriun e Kosovës. Krasniqi ka vlerësuar se asetet kritike shtetërore nuk guxojnë të mbesin pa u ruajtur.

“Prandaj në kuadër të këtyre rrethanave që e karakterizojnë jo vetëm veriun por edhe stabilitetin ndërkombëtar të rajonit tonë diga e Ujmanit parkatësisht pjesët strategjike të kësaj dige nëse kanë mbetur pa mbikqyrje hermetike pa prezencë fizike dhe mbikëqyrje elektronike normalisht që paraqet një përgjegjësi të strukturave të caktuara të sigurisë. Në rrethana të tilla është dashur të krijohet vigjilenca 24 orë të jenë prezent strukturat tona të sigurisë dhe të krijohen mekanizma tjerë për mbikëqyrje elektronike marr parasysh se edhe më herët ka pasur tendenca për shkatërrimin e kësaj infrastrukture vitale për shtetin tonë”, tha Krasniqi për rtv21.

Më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, nga një shpërthim është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit. Policia tha se nuk kishte viktima por dëmet në kanal ishin të mëdha. Derjtori i policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në sulm janë përdorur deri në 20 kilogramë mjete shpërthyese. Qyteti i Mitrovicës mbeti pa ujë për 24 orë pas shpërthimit. Kanali furnizon me ujë disa qytete të Kkosovës dhe KEK-un për ftohjen e termoelektranave të saj.

Ish-zëdhënësi i policisë Refki Morina, tha se institucionet e sigurisë në vend duhet të bashkërendojnë më shumë aktivitetet e tyre me KFOR-in dhe EULEX-in.

“Armatimi nuk mund të ndalet hermetikisht por duhet rritur vigjilenca patrullime të përbashkëta me KFOR-in EULEXI-n”, th ai.

Autoritetet e Kosovës akuzuan Serbinë për sulmin terrorist duke shtuar se e cilësuar si më të rëndin ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga lufta. Ministri i brendshëm Xhelal Sveçla tha se policia ka konfiskuar arsenal armësh dhe sipas tij përveç mbetjeve të Banjskës, policia ka gjetur edhe armatim të ri. Kjo deklaratë, sipas ekspertit Kolë Krasniqi, përbënë shqetësim në vete.

“Nëse kjo deklaratë vërtetohet atëherë kemi të bëjmë me plane të reja të Serbisë ose vendosmëri për ta përfunduar atë që është nisur në Banjskë”, tha tutje Krasniqi.

Pas një operacioni të gjerë në veri autoritetet e Kosovës arrestuan një numër të dyshuarish dhe konfiskuan arsenal armësh përfshirë mjete shpërthyese. Kryeministri Kurti, në një deklaratë të tij tha se Serbia ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme të vendit”, por autoritetet në Beograd mohuan përfshirjen në rast./RTV21/21Media

Back to top button