“Nëse Serbia sillet armiqësisht, do të jemi në reciprocitet”
Haradinaj tha se është pro dialogut me të gjithë fqinjët, por që Serbia po sillet armiqësisht ndaj Kosovës
Kandidati për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se, “Nëse Serbia do të sillet armiqësisht ndaj Kosovës, ne do të jemi çdo herë në reciprocitet”.
Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), Haradinaj, foli për proceset e rëndësishme në Kosovë, për marrëdhëniet e këtij vendi me shtetet e rajonit, marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshjen e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, Formimin e Gjykatës Speciale, marrëdhëniet Kosovë-Turqi, etj
Haradinaj, si kandidat për kryeministër i koalicionit parazgjedhor nga Partia Demokratike e Kosovës – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën (PDK – AAK – NISMA), tha se parimi në formimin e këtij koalicioni nuk është dhënia e përkrahjes së vazhdimit të logjikave të qeverisjes së kaluar. Sipas tij, ky është një fillim i ri me një mënyrë të re të qeverisjes, ku tani kryeministri do të dalë nga partia e cila deri më tani ka qenë në opozitë.
Haradinaj tha se është pro dialogut me të gjithë fqinjët, por që Serbia po sillet armiqësisht ndaj Kosovës. Duke theksuar se “nëse ata do të sillen armiqësisht ne do të jemi çdo herë në reciprocitet”, ai tha se në këtë proces do ta përfaqësojnë interesin e Kosovës dhe vendimet e Parlamentit e të Kushtetutës të Kosovës, i cili është një vend sovran, i pavarur dhe i njohur nga shumë shtete.
“Nuk mendojmë të vazhdojmë dialog sa për dialog, nëse dialogu është në respektim të plotë të asaj se kush jemi, po, jemi për dialog. Nëse ka pozita ose situate të tjera nuk i përfillim. Do t’i njohim vetëm ata që na njohim, do t’i respektojmë vetëm ata që na respektojnë”, tha Haradinaj.
Sipas Haradinajt marrëveshja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ka qenë një gabim i qeverisë së Isa Mustafës, meqë sipas tij nuk është konsultuar me parlamentin. Ai thotë se parlamenti dhe populli i Kosovës kanë reaguar ndaj kësaj marrëveshjeje dhe se “ajo nuk vlen më” meqë sipas tij Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë këtë marrëveshje.