Nesër fillon tërheqja e eshtrave në Kizhevak

 

Në Kizhevak të Rashkës, në Serbi, sot kanë rifilluar gërmimet për mbetjet mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë.

Përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, kanë qëndruar në lokacionin e varrezës masive në Kizhevak, me rastin e rifillimit të gërmimeve. Pjesë e gërmimeve janë ekspertët mjekoligjorë nga Kosova, në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur.

Në ditën e parë të gërmimeve është kryer dekonzervimi i terrenit, ndërsa nesër, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, do të fillohet me tërheqjen e eshtrave.

Gërmimet vlerësuese dhe zhvarrosjet e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë, do të vazhdojnë në këtë lokacion së paku për dy javë rresht. Do të punohet gjashtë ditë në javë, ndërsa të dielën do të bëhet ndërrimi i ekipeve.

Ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, do të vazhdojnë të jenë në lokacionin e varrezës masive deri në përfundim të procesit./21Media

Back to top button