Nesër nis seminari ndërkombëtar për gjuhën, kërkohet rimëkëmbja e shqipes

Nesër nis Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë përgjithësisht. Drejtori i seminarit, Bardh Rugova tregon se edicioni i 41-të me radhë ka mbledhur rreth 250 pjesëmarrës.

Sipas tij, interesimi i të huajve për të marrë pjesë këtë vit ishte edhe më i madh, porse në pamundësi buxhetore kanë kërkuar mirëkuptim nga një pjesë e të interesuarve.

Ai flet edhe për mosinteresimin shtetëror për investim në departamente të shqipes në universitete botërore. Derisa thekson se “mërgimtarët po shndërrohen në gjysmëfolës të shqipes”.

Akademik Rugova thekson nevojën që ky seminar të ketë një linjë të veçantë buxhetore, e jo sikurse po ndodh, të mos dihet deri në javën e fundit se cilat aktivitete mund të mbahen ose jo.

“Kemi një numër të madh të pjesëmarrësve dhe të të interesuarve për të marrë pjesë sivjet në seminar. Ata i ndajmë në dy grupe kryesore. Në grupin që do të vijnë në seminar për të ndjekur kurset e gjuhës, janë një numër prej 100-120 studentë dhe studiues, të cilët duan që ta mësojnë në nivele të ndryshme gjuhën shqipe për nevoja të mëtutjeshme studimore. Ky mund të themi që është fokusi ynë kryesor, për shkak që themi se numri më i madh i albanologëve të mëdhenj sot në botë janë që kanë kaluar nëpër këtë seminar… Pjesa e dytë e pjesëmarrësve të seminarit, që do të jenë rreth 130 të tjerë, janë studiues të cilët do të paraqiten me ligjërata, referime dhe kumtesa të ndryshme studimore. Kështu që janë dy grupe të ndryshme që kur i bëjmë bashkë janë 200-250”, thotë ai.

Derisa janë duke u bërë edhe përgatitjet e fundit teknike për seminarin, profesori universitar thotë se për shkaqe financiare nuk është ditur deri në fund, nëse do të mund të realizohen.

“Mund të them se ka pasur (rritje të interesimit), por kjo nuk do të thotë se është numri më i madh, vetëm se është, si të themi, konkurrenca më e madhe. Buxheti ynë është i tillë, që ashtu është paraparë ashtu në bazë të parametrave të viteve të kaluara dhe ne nuk mund ta tejkalojmë… Është dashur të kërkojmë mirëkuptim nga një numër i të interesuarve… Duhet që një institucion i tillë, i cili është institucioni kulturor më jetëgjatë që e kemi në Kosovë, më i sigurti, më prestigjiozi në botë, të ketë një linjë të veçantë buxhetore. Ta dimë në fillim të vitit sa kemi mjete dhe cilat janë mundësitë. Deri në këtë javë të fundit jemi duke shikuar nëse mund ta realizojmë këtë aktivitet ose jo sepse janë para të tjetërkujt”, thekson Rugova.

Shqetësime ngreh për “gjuhën në vdekje”.

“Do të kemi një koncert të muzikës arbëreshe, do të jetë Tina Bushiq dhe Melita Ivkoviq. Do të vijnë do të performojnë nga Zara. Në Zarë ekziston një komunitet i arbëreshëve, i cili ka migruar në shekullin XVIII nga zonat e Liqenit të Shkodrës në Malin e Zi të sotëm, dhe është gjuhë e cila është ‘gjuhë në vdekje’ e sipër. Gjuhë e vdekur është gjuha të cilën nuk e flasin fëmijët. Ne kemi bërë përpjekje të vazhdueshme të shikojmë mundësitë për rimëkëmbje të kësaj gjuhe, dhe një prej tentimeve tona është edhe ky që një këngëtare arbëreshe, e cila i këndon këngët arbërisht, të vijë dhe të integrohet në komunitetin e albanologëve”, thotë Rugova.

Drejtori i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka kritika edhe për mosinteresimin e shtetit në 20 vjetët e fundit për mësimin e shqipes në botë.

“Kur flasim për shqipen në rrezik, një pjesë shumë e madhe ka të bëjë edhe me departamentet e shqipes në botë. Këto departamente janë të vogla, me sistemin e Bolonjës gjithmonë pësojnë departamentet e vogla. Kur nuk ka 100 vetë që do të shkojnë të studiojnë në Paris ose në Berlin. Me gjithë thirrjet që i kam bërë këto vjetët e fundit, nuk ka pasur ndërhyrje të shtetit në 20 vjetët e fundit. Nuk është hapur departamenti i gjuhës shqipe në Lubjanë, po flasim për top 100 universitetet botërore, nuk është hapur sepse zyrtarët e atëhershëm administrativë në Kosovë kanë vlerësuar se ‘është shumë t’ia japim dikujt një rrogë për të dhënë mësim atje’. Në anën tjetër, japin para për një miting të poezisë atje. Këto janë gjëra që duhet të mendohen pak më mirë nga njerëz që janë në struktura administrative”, vijon ai.

Sipas profesorit Rugova, “rreziku për shqipen” ndahet në sfera të ndryshme.

“E para, variaritete të tilla të shqipes, si arbnishtja e Zarës, si arvanitika në Greqi, si e folura e Mandricës në Bullgari, si e folura e shqiptarëve në katër fshatra të Ukrainës, janë në rrezik, janë duke u shuar dhe ne nuk jemi duke bërë mjaftueshëm për t’i mbrojtur. Ato janë tonat, janë trashëgimi e jona, dhe janë në vdekje e sipër. Ende, për disa prej tyre ka shans të rivitalizimit, por ne nuk jemi duke menduar për kulturë, jemi duke menduar gjithmonë për politikë… Po ashtu, kemi një numër të madh të mërgimtarëve të cilët gradualisht po shndërrohen në gjysmëfolës të shqipes.Na e kanë mbyllur doktoratën në gjuhën shqipe. Ka ardhur një rumune, e cila në variantin më të mirë do të mund të ishte studente e imja, dhe ajo vendos a ta mbyllë apo jo doktoratën, kjo është rrezik. Cilësi? Dikush që është nën mua të na mbyll neve këtu, një student gjeorgjian dhe një rumune, që nuk është as e fushës. Këtu doktorata e parë është mbajtur më 1965. Kjo është rrezik sepse njerëzit që nuk kuptojnë nga këto çështje vendosin në mënyrë kuturu, cilësia është në rrezik nga mënyra kuturu”, thekson ai.

Akademik Rugova thotë se ka pasur nevojë që në mënyrë serioze të punohet edhe për një fjalor të gjuhës shqipe.

“Një prej problemeve të mëdha që e rrezikojnë shqipen janë edhe librat e vjetër normativë të shqipes. Kemi gramatika të vjetra, ku përfshihen shpjegime të gabueshme, kemi fjalor i cili është i viteve ’80 dhe natyrisht është i varfër. Kur është bërë ai nuk ka pasur ‘iPhone’, nuk ka pasur ‘selfie’, ‘CD’ e ku e di unë. Dhe, ato nuk janë të përfshira në gjuhën e sotme shqipe. Ka pasur nevojë që në mënyrë serioze të punohet për një fjalor të shqipes… Ka mijëra fjalë që përdoren nëpër mediume të Shqipërisë dhe nuk përdoren në ato të Kosovës. Po degëzohet shqipja, për shkak se ne kujtojmë që një fjalor i viteve ’80 është bashkues, është ndarës”, thotë Rugova.

Ndryshe, edicioni i 41-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të mbahet prej14 deri më 25 gusht 2023. Temat bosht për sesionet shkencore janë: “Shqipja në rrezik” dhe “Letërsia shqipe dhe interkulturalizmi”. Në kuadër të këtij edicioni, përveç aktiviteteve tjera, do të mbahen nëntë ligjërata shkencore. /kp

Back to top button