Nesër nis votimi për nominimet “Oscars 2022”, Dua Lipa tregon mbështetjen për filmin “Zgjoi”

 
Nesër do të fillojë votimi i anëtarëve të Akademisë Amerikane për të nominuar filmat për “Oscars 2022”.
Aktorja që luan rolin kryesor në filmin “Zgjoi”, Yllka Gashi ka bërë thirrje që të shpërndahet sa më shumë fotografia e filmit “Zgjoi” në rrjete sociale.
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, i është përgjigjur kësaj thirrje dhe ka shpërndarë në InstaStory fotografinë e filmit “Zgjoi”.

“Kosova për herë parë është në listën e ngushtë me gjasa reale për të siguruar një nominim. Duke ju falenderuar për përkrahjen e jashtëzakonshme që na e keni bërë gjatë krejt kësaj kohe, ju lus që ta shpërndani sa më shumë fotografinë e filmit tonë në rrjete sociale. Bashkë për Kosovën drejtë Oscars 2022!!!”, ka shkruar sot Yllka Gashi në Facebook.

“Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit, konsiderohet si filmi më i sukseshëm i kinematografisë shqiptare deri sot, fitues i trefishtë në “Sundance 2021” dhe fitues i shumë çmimeve të tjera ndërkombëtare, gjithashtu propozim i Kosovës për “Oscars 2022”.
“Zgjoi” sjell historinë e vërtetë të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal, ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.
“Zgjoi” ka për producent Yll Ukën, Valon Bajgorën dhe Agon Ukën; drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n.
Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë: Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj. “Zgjoi” është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Më 28 tetor, në Prishtinë është dhënë premiera e këtij filmi të vlerësuar lartë, ku pjesëmarrës kanë qenë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti./21Media

Back to top button