Nesër seancë qeveritare e përbashkët mes Maqedonisë dhe Kosovës

Qeveritë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës nesër në Shkup do të mbajnë mbledhje të përbashkët, në të cilën do të nënshkruhen një varg marrëveshjes dhe memorandumesh me të cilat do të thellohet dhe përforcohet bashkëpunimi ndërmjet të dy shteteve.
Marrëveshjet, siç informoi në konferencën e sotme për media zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha, janë nga sfera e infrastrukturës, diaspora, energjetika, ekonomia, turizmi, siguria, inovacionet dhe zhvillimi teknologjik dhe sfera të tjera.
Qeveria, në mbledhjen e 106-të të djeshme e përcaktoi pakon e marrëveshjeve dhe memorandumeve për bashkëpunim me Republikën e Kosovës, të cilat janë paraparë të nënshkruhen në mbledhjen e përbashkët.
“Ky informacion del si rezultat i angazhimit të grupit të punës i përbërë nga përfaqësues të të dy qeverive. Qëllimi është të ruhet vazhdimësia në zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke pasur parasysh se mbledhje të këtilla ishin mbajtur edhe me vendet e tjera fqinje”, informoi në konferencën e sotme për media zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.
Përfitimet, theksoi Hoxha, nga takimet janë përmirësimi i shkëmbimit tregtar, komunikimi më i mirë i qytetarëve dhe biznesit nga të dyja anët, projekte me interes të ndërsjellë dhe bashkëpunim më i mirë ndërkufitar./TV21

Back to top button