Nesër testohen mbi 5 mijë maturantë

Për të gjithë maturantët të cilët nuk kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë, provimi i maturës shtetësore, afati i dytë, do të mbahet më 27 gusht 2022.
Ministria e Arsimit bëri të ditur se testimit në afatin e dytë do t’i nënshtrohen rreth 5 mijë e 84 maturantë në 59 qendra të testimit, ndërsa në këtë proces do të angazhohen rreth 177 komisionerë, 70 mbikëqyrës, 50 vëzhgues nga organizata rinore KYC, si dhe 600 administrues.
MASHTI thotë se ka bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij provimi në koordinim me drejtoritë komunale të arsimit dhe me shkollat.
“Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës, ndërkaq në çdo klasë do të lejohen më së shumti 12 maturantë”, thuhet në njoftim.
MASHTI kërkon nga të gjithë personat e angazhuar në proces që të realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, ndërsa kërkon që çdo parregullsi të raportohet me shkrim në DKA dhe në ministri.
“Për të gjithë pjesëmarrësit për të cilët ka fakte për shkelje të procedurave, Këshilli Shtetëror i Maturës do të marrë masa sipas Ligjit të Maturës. Bazuar në këtë Ligj dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit dhe kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga provimi. Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit. Prandaj, mediet mund të marrin pamje në çdo qendër vetëm para fillimit të Testit të Maturës”, thuhet tutje në njoftim.
Rezultatet e afatit të dytë të provimit të maturës shtetërore pritet të shpallen më së largu me datën 7 shtator./21Media

Back to top button