Nexhat Sahiti la prapa 40 garues në Kampionatin Evropian 

 

Tre shenjëtarët Drilon Ibrahimi, Urata Rama Gagica dhe Nexhat Sahiti të hënën përfaqësuan Kosovën në Kampionatin Evropian të Shenjëtarisë Sportive, që po mbahet në Osijek të Kroacisë, derisa ai që la mbresa të mira me paraqitje ishte Nexhat Sahiti, i cili garoi në 10 metra pistoletë ajrore.

Shenjëtari i klubit Katana nga Obiliqi, siç informoi Komiteti Olimpik i Kosovës, zuri vendin e 43-të nga 83 garues, pesë prej të cilëve u diskualifikuan. Rezultati i Sahitit ishte 570 rrathë.

“Gara ka shkuar mirë. Jam i kënaqur deri diku me rezultatin, por mendoj se kam mundur të kem edhe 2-3 pikë më shumë. Ishte rezultati më i mirë i imi në gara ndërkombëtare, ndërsa në Kosovë kam arritur disa herë rezultat më të mirë”, tha Sahiti për Komitetin Olimpik të Kosovës.

Me këto pikë, Nexhati fitoi MQS-në, që në sportin e shenjëtarisë njihet si “pikët minimale kualifikuese për Lojërat Olimpike”. MQS-ja në këtë disiplinë arrihet me 563 rrathë.

“Isha vetëm nëntë pikë larg vendit të tetë që u kualifikua në finale. Me pak fat kam mundur të jem në finale”, shtoi 25-vjeçari, që Kosovën e ka përfaqësuar edhe në Lojërat Mesdhetare Tarragona 2018.

Ëndrra e tij është pjesëmarrja në Lojërat Olimpike. Nëse kjo ëndërr nuk i realizohet në Tokio 2020, atëherë ai shpreson të përfaqësojë vendin në Paris 2024.

Dy garuesit tjerë që garuan në Evropian, Ibrahimi dhe Rama Gagica, janë bursistë olimpikë të KOK-ut për LO Tokio 2020. Ibrahimi doli i 75-ti në 10 metra pistoletë ajrore me gjithësej 585.6 rrathë, ndërsa, sipas KOK, Rama Gagica doli e 93-ta në 10 metra pushkë ajrore, me 590.3 rrathë. Rama Gagica e mbrojti MQS-në e fituar më herët, ndërsa Ibrahimi MQS-në e kA fituar në garat e mëhershme.

Lojërat e shtyra Olimpike Tokio 2020 do të mbahen nga 23 korrik – 8 gusht 2021, në Tokio të Japonisë.

Back to top button