​Neymar: Kam kontratë me PSG-në, askush nuk më ka kërkuar të largohem

Mes raporteve që e lidhin atë me një rikthim të mundshëm në FC Barcelona, ylli i Paris Saint-Germain Neymar ka folur qartë për planet e tij të ardhshme gjatë një interviste me YouTuber-in e njohur brazilian Casimiro.

Lojtari më i shtrenjtë në botë zbuloi gjithashtu se ai e dinte klubin e ardhshëm të Lionel Messit përpara se argjentinasi t’u thoshte mediave katalanase dhe preku dështimin e përjetuar në një treshe që ai formoi me Messin dhe Kylian Mbappe në “Parc des Princes”.

Neymar u rikthye në stërvitjet e PSG-së këtë javë pasi sezoni i tij 2022/23 përfundoi para kohe për shkak të lëndimit.

Para përfundimit të sezonit, dihej tashmë se miku i tij i ngushtë Messi, i cili ishte pranë përfundimit të kontratës, do të largohej nga klubi pas një qëndrimi dy vjeçar në kryeqytetin francez.

Në mbrëmjen që Messi njoftoi se do të bashkohej me Inter Miami, “SPORT” publikoi një raport duke shpjeguar se Neymari i ishte ofruar Barçës dhe ishte i gatshëm të ulte pagën e tij për të realizuar këtë operacion.

Por, trajneri i Barcelonës, Xavi i ndali këto spekulime duke thënë se ish-shoku i tij i skuadrës nuk ishte në planet e tij.

“Unë kam një kontratë me PSG-në, askush nuk më ka informuar për asgjë”, tha së pari Neymar.

Sa i përket sagës së transferimit të Messit, Neymar shpjegoi se ai e dinte skuadrën e radhës të shtatë herë fituesit të Topit të Artë.

“Ishte në javët e fundit, ai ishte në dyshim, pastaj në fund më tha se ku po shkonte”, tha Neymar.

“Messi ka fituar gjithçka tashmë, familja e tij është prekur shumë në këto dy vite në PSG. Unë e kuptoj atë, familjen e tij. Ai shkoi në një vend ku do të pritet mirë, për të jetuar një jetë krejtësisht ndryshe dhe familja e tij do të ndihet shumë mirë në Miami. Kanë qenë disa vite të vështira për ne së bashku, por i uroj atij gjithë të mirat. Ai është një djalë fantastik, madje më tepër jashtë fushës sesa në fushë”, vazhdoi braziliani.

Pa blerës serioz të shfaqur deri më tani, siç qëndrojnë gjërat, Neymar duket se do të nisë një sezon të ri në Ligue 1 me PSG-në.

Back to top button