Nga 3 janari mbi një mijë raste të reja me Covid-19
Fillimi i vitit 2022 ka sjellë rritje të dukshme të rasteve me COVID-19 në Kosovë. Vetëm nga 3 janari e deri më sot sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë janë regjistruar 1 mijë e 355 raste.
Numri më i madh i rasteve ishte ditën e djeshme. Sipas Ministrisë dje pozitiv me Covid-19 rezultuan 304 qytetarë.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik sot përmes një komunikate për media ka thënë se ka rrezikshmëri të rritjes edhe të mëtejme të rasteve.
“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, thuhet në komunikatën e IKSHPK-së.
IKSHPK vazhdimisht po u bënë apel qytetarëve që të vaksinohen. Ministria e Shëndetësisë sot për rtv21.tv ka konfirmuar se deri tani janë dhënë 21 mijë e 223 doza përforcuese kundër Covid-19. Ndërsa, janë dhënë 2 mijë e 117 doza të treta.
Sipas ministrisë, prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.693.666 doza të vaksinës. Kurse, deri më sot, 790.175 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./21Media