Sa është interesimi për doza përforcues kundër Covid-19? Ministria tregon për RTV21
Ministria e Shëndetësisë sot për rtv21.tv ka konfirmuar se deri tani janë dhënë 21 mijë e 223 doza përforcuese kundër Covid-19. Ndërsa, janë dhënë 2 mijë e 117 doza të treta.
“Deri sot ne ora 15:00 ka pasur 21223 doza perforcuese dhe 2117 doza te treta, apo se bashku 23.340.”, ka bërë të ditur ministria për rtv21.tv
Sipas MSH-së, doza përforcuese u jepet personave, të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por te të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë.
Kurse, doza e tretë u jepet personave, të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por te të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese me rekomandim të mjekut ordinues.
Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë.
Dozën përforcuese dhe dozën e tretë mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare sipas intervaleve kohore për dozat e lartë cekura.
Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, sot ka informuar se gjatë 24 orëve të fundit nuk ka vdekur asnjë person që ka qenë i prekur me Covid-19, ndërsa janë konfirmuar edhe 236 raste të reja. Në total numri i rasteve aktive është 1.780./21Media