IKShPK: Situata epidemiologjike mund të përkeqësohet

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës sot ka bërë të ditur se situata epidemiologjike mund të përkeqësohet edhe më shumë ditët në vazhdim, andaj ka apeluar te qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë.
Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, IKShPK ka bërë thirrje për kujdes dhe mosgrumbullim.
“Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë. Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19.”, është bërë e ditur nga IKShPK.
Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, IKShPK ka apeluar për vaksinim sa më gjithpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12 vjeçare.
“Vaksinat mund të merren çdo ditë në të gjitha institucionet e kujdesit parësor në komunën tuaj. Gjithashtu apelojmë për vaksinimin me dozën pērforcuese dhe dozën e tretë që mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare.Vaksinohuni dhe ftoni të tjerët të vaksinohen! Duke u vaksinuar vetë, ju mbroni veten, mbroni edhe njerëzit për rreth jush, në rend të parë familjen.”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas Institutit, vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin.
Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë regjistruar 304 raste të reja me Covid-19./21Media

Back to top button