Nga cilat vende ka turistë më shumë në Kosovë?
Kosova është e ndarë në pesë rajone turistike, rajoni qendror i Prishtinës, Prizrenit rajoni turistik i Alpeve Shqiptare – Bjeshkët e Nemuna, rajoni turistik i Sharrit, rajoni turistik i Anamoravës dhe rajoni turistik i Mitrovicës.
Brezovica, Malet e Sharrit, Gryka e Rugovës, Shpella e Gadimes, Ujëvara e Mirushës, Burimi i Drinit të Bardhë, Prevalla dhe disa monumente kulturore janë destinacione të njohura turistike.
Bukuria e këtyre rajoneve turistike po rrëmben sytë e vizitorëve të vendeve të ndryshme të botës.
Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti për portalin rtv21.tv ka treguar se ka rritje të vizitorëve nga të gjitha shtetet Europiane ato Aziatike.
Hoti ka shtuar se turistë ka edhe nga USA.
Sipas tij, gjatë dimrit Kosovën më shumë e vizitojnë turistët nga Shqipëria.
”Kemi një numër në rritje të vizitorëve nga të gjitha shtetet Europiane ato Aziatike, por edhe nga USA. Poashtu sidomos gjatë sezonit dimëror dominojnë vizitorët nga Shqipëria”, ka thënë Hoti.
Për rtv21.tv Hoti ka përmendur se Kosova ende ka problem sa i përket pjesës së akomodimit në numër të madh të vizitorëve kryesisht gjatë aktiviteteve dhe festivaleve duke i veçuar ”Mani Festen” dhe ”Sunny Hill” të cilët do të sjellin një numër të madh të vizitorëve.
Unioni i Turizmit të Kosovës ka arritur që tashmë ta finalizojë edhe Aplikacionin e parë dhe të vetëm të turizmit ”THINK KOSOVA” i cili është pa pages dhe mund të merret në dy platformat në Android dhe IOS./21Media