Nga gjithsej 4694 zyrtarë, vetëm 676 prej tyre e kanë deklaruar pasurinë

Havolli ka shprehur zotimin se AKK do të jetë në shërbim të të gjitha subjekteve deklaruese

Nga gjithsej 4694 zyrtarë që kanë për obligim ligjor deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë në Agjencinë kundër Korrupsionit, kërkesës i janë përgjigjur vetëm 676 zyrtarë, të cilët kanë dorëzuar formularët e deklarimit të pasurisë në AKK.

Kështu ka bërë të ditur Agjencia Kundër Korrupsion, e cila ka informuar se procesi i deklarimit të pasurisë i nisur më 01 mars 2020 ka vazhduar të realizohet në pajtim me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave.

“Procesit të deklarimit vjetor të pasurisë janë të obliguar t’i nënshtrohen të gjithë zyrtarët e lartë publik, me përjashtim të atyre që kanë deklaruar pasurinë me rastin e marrjes së detyrës pas datës 1 janar të këtij viti zyrtarë të lartë publik që janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë në Agjencinë kundër Korrupsionit.”, ka bërë të ditur AKK.

Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Shaip Havolli ka shprehur zotimin se gjatë procesit të deklarimit të pasurisë Agjencia kundër Korrupsionit, do të jetë në shërbim të të gjitha subjekteve deklaruese për të ofruar të gjitha informatat e nevojshme për zyrtarët publik në mënyrë që procesi i deklarimit të pasurisë të përfundoj me sukses,  duke respektuar obligimet e përcaktuara me ligj.

Back to top button