Tarifa 100% do të mbetet edhe pas 15 marsit

Tarifa do të mbetet, përderisa nuk ka një vendim të ri

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka thënë se tarifa 100% do të mbetet deri në një vendim të përbashkët të Qeverisë.

Kurti ka deklaruar se me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën kanë takime të rregullta dhe se dallimi me të ende është qëndrimi për tarifën ndaj mallrave serbe, shkruan 21Media.

“Kur ta kemi një dakordim për një qasje sa i përket tarifës 100% do të mund ta bënim vendim të Qeverisë. Nuk mund të thëm diçka të re për këtë çështje, me qenë se nuk ka ndonjë zhvillim ose lëvizje të re. Gjithçka vazhdon njësoj sikur që ka qenë deri më tash, pra ngelet taksa 100 për qind”, ka deklaruar Kurti duke theksuar se më mirë kishte me qenë të zbutet kjo situatë, për ta hequr tarifën për lëndën e parë.

Kurti më parë kishte njoftuar se më 15 mars do të hiqet taksa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina./21Media

Back to top button