Nga lotët e medaljeve te lotët për Majlindën, xhudo është krenaria e Kosovës

21 min read

Xhudo është padyshim sporti më i suksesshëm në Kosovë. Sportistët që përfaqësojnë flamurin e shtetit na sollën emocione të forta edhe vitin e kaluar. Nga lotët për Distrian e Norën që u ngjitën në shkallën më të lartë të podiumit në sallën “Ippon Budokan” të Tokios e deri te lotët për Majlinda Kelmendin që i dha fund karrierës.

Dy pjesëmarrje në Lojëra Olimpike dhe tri medalje të arta. Kosova, vendi i vogël në Ballkan, pushtoi sërish verën e kaluar mediat ndërkombëtare falë suksesit historik të dy xhudistëve Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, të cilat fituan medalje të arta në kategorinë -48 kilogramë dhe -57 kilogramë.

Kampionia olimpike në Rio 2016, Majlinda Kelmendi, ishte e pafat në Lojërat e Tokios, e cila u ndal në luftën e parë (raundi i dytë). Menjëherë pas kësaj, Kelmendi do t’i jepte fund karrierës me një ceremoni të organizuar nga presidentja Vjosa Osmani, e cila e dekoroi xhudisten me Urdhrin “Shote Galica”.

Përpos medaljes së artë, Majlinda e mbylli karrierën edhe me tre tituj kampioni (dy si seniore dhe një si juniore), katër medalje të arta evropiane, përfshirë Lojërat Evropiane Minsk 2019, një medalje të bronztë botërore dhe e shpallur tri herë xhudistja më e mirë në botë.

Në përgjithësi, viti 2021 solli për xhudon në total 15 medalje, përfshirë këtu dy të arta olimpike.

Më poshtë, kronologjia e sukseseve të ekipit të xhudos të Kosovës.

WORLD JUDO MASTERS

Ekipi kosovar i xhudos këtë vit historik e filloi me gara në Mastersin e xhudos që u zhvillua në Doha të Katarit, ku u përfaqësua nga pesë xhudistë kosovarë si Distria Krasniqi, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Akil Gjakova dhe Loriana Kuka.

Nga këta garues, xhudistja Distria Krasniqi u stolis me medaljen e artë, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Loriana Kuka arritën që të fitojnë medaljen e bronztë në kategoritë e tyre, kurse xhudisti Akil Gjakova arriti që të renditet në pozitën e shtatë në kategorinë e tij te meshkujt.

Distria Krasniqi – kategoria deri në 48 kilogramë

Deri te e arta, Distria Krasniqi raundin e parë e kaloi pa luftë, kurse në raundin e dytë e mposhti me Wazaari dhe Ippon xhudisten sllovene, Marusa Stangar. Me Wazaari dhe Ippon Distria e fitoi edhe luftën në çerekfinale kundër portugezes Catarina Costa.

Në gjysmëfinale, xhudistja kosovare shënoi fitore me Ippon kundër Melanie Clement të Francës, kurse në finale, ku edhe e siguroi medaljen e artë, e mposhti me 2 Wazaari për Ippon japonezen Funa Tonaki.

Majlinda Kelmendi – kategoria deri në 52 kilogramë

Xhudistja Majlinda Kelmendi garën në Masters të Dohas të Katarit e mbylli me medaljen e bronztë. Ajo në ndeshjen e parë mposhti me tre dënime për Ippon garuesen nga Rumania Andreea Chitu. Në raundin e dytë, Kelmendi e mposhti me Wazaari në vazhdime polaken Agata Perenc.

Kelmendi vazhdoi me fitore edhe në çerekfinale, ku e mposhti xhudisten nga Zvicra Evelyne Tschopp, kurse në gjysmëfinale u mposht në vazhdime me tre dënime për Ippon nga francezja Amandine Buchard.

Në luftën për medaljen e bronztë, Kelmendi e mposhti me Wazaari dhe me trI dënime për Ippon belgen Charline Van Snick.

Nora Gjakova – kategoria deri në 57 kilogramë

Sikurse Majlinda Kelmendi, edhe xhudistja Nora Gjakova këtë garë e mbylli me medalje të bronztë.

Në raundin e parë Gjakova kaloi pa luftë, kurse në raundin e dytë e mposhti xhudisten nga Serbia Marica Perisic. Në çerekfinale, xhudistja kosovare e mposhti me Wazaari francezen Helene Receveaux, kurse në gjysmëfinale u mposht nga japonezja Tsukasa Yoshida.

Në garën për medaljen e bronztë, Nora Gjakova e mposhti me Wazaari xhudisten portugeze Telma Monteiro.

Loriana Kuka – kategoria deri në 73 kilogramë

Me medalje të bronztë në Doha të Katarit u stolis edhe xhudistja Loriana Kuka, ku kjo e fundit garoI në peshat deri në 73 kilogramë.

Në raundin e parë, Kuka e mposhti me Ippon garuesen nga Gaboni Sarah Myriam Mazouz, kurse në raundin e dytë e mposhti në vazhdime me tre dënime për Ippon francezen Audrey Tcheumeo.

Në çerekfinale, xhudistja kosovare humbi në vazhdime me Ippon nga japonezja, Shori Hamada.

Pas humbjes në çerekfinale, Kuka u ndesh në repesazh ku mposhti me Ippon garuesen nga Kuba, Kaliema Antomarchi.

Ndërkaq, në luftën për të bronztën, Kuka përmes vazhdimeve me Ippon e mposhti xhudisten britaneze Natalie Powell.

Akil Gjakova – kategoria deri në 78 kilogramë

Në Mastersin në Doha të Katarit, i vetmi nga ekipi kosovar i xhudos ishte Akil Gjakova, i cili nuk arriti të kthehet me medalje.

Gjakova u rendit në pozitën e shtatë në këtë garë, ndërsa deri te kjo pozitë, në raundin e parë ai e mposhti me Wazaari në vazhdime xhudistin nga Taxhikistani Somon Makhmadbekov.

Në raundin e dytë, Gjakova e mposhti me Ippon xhudistin rus, Denis Iartcev, kurse në çerekfinale u mposht me dy Wazaari për Ippon nga xhudisti nga Kazakistani, Zhansay Smagulov.

Pas humbjes nga Smagulov, Gjakova u ndesh në repesazh ku humbi me Ippon në vazhdime nga garuesi i Uzbekistanit, Khikmatillokh Turaev.

Kosova në këtë Masters rrëmbeU katër medalje, një të artë, tri të bronzta dhe një vend të 7-të.

Ekipi kosovar i xhudos aventurën në këtë sport e vazhdoi me gara në Grand Slamin e Tel Avivit në Izrael, ku aty garuan Majlinda Kelmendi, Laura Fazliu dhe Akil Gjakova.

GRAND SLAM TEL AVIV – IZRAEL

Nga këta garues, ishte vetëm Majlinda Kelmendi, ajo e cila arriti të stoliset me medalje, ku e fitoi të bronztën në këtë garë, kurse xhudistët Akil Gjakova dhe Laura Fazliu nuk arritën që të kalojnë më tej se në raundin e dytë.

Majlinda Kelmendi – kategoria deri në 52 kilogramë

Raundin e parë Kelmendi e kaloi pa luftë, kurse në raundin e dytë e mposhti me Wazaari dhe tre dënime për Ippon xhudisten nga Gjermania, Annika Wurfel.

Në çerekfinale, xhudistja kosovare e mposhti me Ippon rusen Alesya Kuznetsova, kurse në gjysmëfinale u mposht me Ippon në vazhdime nga anglezja Chelsie Giles.

Majlinda për të bronztën nuk u ndesh me garuesen belge Charline Van Snick, pasi që kjo e fundit u lëndua në ndeshjen paraprake dhe nuk doli në tatami.

Akil Gjakova – kategoria deri në 73 kilogramë

Akil Gjakova në ndeshjen e parë e mposhti me Ippon garuesin nga Portugalia, Joao Fernando, kurse në ndeshjen e dytë pësoi humbje në vazhdime nga xhudisti italian, Giovanni Esposito.

Laura Fazliu – kategoria deri në 63 kilogramë

Këtë garë xhudistja kosovare, Laura Fazliu e nisi pa luftë në raundin e parë, pasi kundërshtarja e saj Habibe Afyonlu nga Turqia nuk u paraqit në tatami. Në raundin e dytë, Fazliu nuk arriti që të shënojë fitore, pasi që në vazhdime u mposht nga britanezja Renshall Lucy.

Ekipi kosovar i mbylli garat në Grand Slamin e Tel Avivit me vetëm një medalje të fituar, atë të bronztën nga xhudistja Majlinda Kelmendi.

Pas këtyre dy garave, ekipi i xhudos kosovar vazhdoi me suksese edhe në Grand Slamin e Tbilisit që u zhvillua në Gjeorgji, ku atje morën pjesë katër garues nga Kosova si: Nora Gjakova, Akil Gjakova, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka.

GRAND SLAM TBILISI – GJEORGJI

Nga këta garues, xhudistja Nora Gjakova arriti t’ia zbardhë fytyrën Kosovës duke e fituar medaljen e artë, Akil Gjakova zuri vendin e pestë, Laura Fazliu u rendit e shtata, ndërsa Loriana Kuka nuk arriti të vazhdojë garën, pasi u eliminua që në raundin e dytë.

Nora Gjakova – kategoria deri në 57 kilogramë

Në rrugëtimin drejt medaljes së artë, Gjakova raundin e parë e kaloi pa luftë, kurse në raundin e dytë e mposhti me Ippon ukrainasen Mariia Skora. Në raundin e tretë, po ashtu me Ippon, Gjakova e mposhti xhudisten nga Austria Sabrina Filzmoser.

Në çerekfinale, xhudistja kosovare mposhti me 3 dënime për Ippon serben, Marica Perisic, njëjtë sikurse që mposhti në gjysmëfinale sllovenen Kaja Kajzer.

Gjakova siguroi medaljen e artë, me ç’rast e mposhti në finale me Wazaari xhudisten nga Gjeorgjia, Eteri Liparteliani.

Akil Gjakova – kategoria deri në 73 kilogramë

Grand Slamin e Tbilisit të Gjeorgjisë Akil Gjakova e përfundoi në pozitën e pestë.

Në raundin e parë, Gjakova fitoi me tri dënime për Ippon kundër xhudistit nga Filipinet, Keisei Nakano, kurse në raundin e dytë, po ashtu me tre dënime për Ippon e mposhti malazezin Marko Gusic.

Në çerekfinale, Akili e mposhti me Wazaari armenin Ferdinand Karapetian, kurse në gjysmëfinale u mposht nga xhudisti mongolez, Tsogtbaatar Tsend-Ochir.

Në luftën për medaljen e bronztë, Gjakova u mposht nga xhudisti i Gjeorgjisë, Lasha Shavdatuashvili dhe u rendit në pozitën e pestë në këtë garë.

Laura Fazliu – kategoria deri në 63 kilogramë

Këtë garë xhudistja Laura Fazliu e mbylli në pozitën e shtatë.

Në ndeshjen e parë, Fazliu fitoi me Wazaari dhe 3 dënime për Ippon kundër garueses nga Austria, Magdalena Krssakova. Në ndeshjen e dytë, xhudistja kosovare mposhti me Wazaari spanjollen Isabel Puche.

Në çerekfinale, Laura u mposht me Ippon në vazhdime nga xhudistja kineze Junxia Yang. Pas kësaj humbjeje, Fazliu u kualifikua të ndeshej në repasazh ku humbi kundër garueses nga Britania e Madhe, Lucy Renshall, kështu përfundoi e 7-ta.

Loriana Kuka – kategoria deri në 78 kilogramë

Xhudistja kosovare, Loriana Kuka garën në Grand Slamin e Tbilisit e përfundoi qysh në raundin e dytë.

Raundin e parë Kuka e mbylli pa luftë, kurse në raundin e dytë u mposht nga xhudistja izraelite, Inbar Lanir.

Sukseset e Kosovës nuk u ndalën në Grand Slamin e Tbilisit, ku ekipi kosovar i xhudos vazhdoi me medalje edhe në Kampionatin Evropian të Lisbonës së Portugalisë, që u zhvillua më datat 16 deri në 18 prill.

KAMPIONATI EVROPIAN I LISBONËS SË PORTUGALISË

Në këtë Evropian, Kosova u përfaqësua nga Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Flaka Loxha, Akil Gjakova, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka, nga të cilët arriti të mbledhë dy medalje të arta, një medalje të bronztë dhe dy vende të pesta.

Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova ishin dy xhudistët që i sollën Kosovës medaljet e arta në këtë garë, Nora Gjakova solli një medalje të bronztë, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka u renditën në pozitën e pestë në kategoritë e tyre, kurse Flaka Loxha u eliminua qysh në xhiron e parë.

Distria Krasniqi – kategoria deri në 48 kilogramë

Distria Krasniqi fitoi katër ndeshje gjithsej, ku në xhiron e parë ishte e lirë, ndërsa në ndeshjen e parë fitoi me tre dënime për Ippon kundër garueses nga Italia, Francesca Giorda.

Në çerekfinale, Krasniqi e mposhti me Ippon xhudisten izraelite Shira Rishony, kurse në gjysmëfinale mposhti me tri dënime për Ippon rusen Sabina Giliazova.

Distria Krasniqi siguroi të artën pa luftë, pasi që në finale në tatami nuk u paraqit xhudistja nga Ukraina, Daria Bilodid.

Nora Gjakova – kategoria deri në 57 kilogramë

Xhudistja kosovare Nora Gjakova garën drejt medaljes së bronztë e filloi pa luftë në raundin e parë, kurse në të dytin e mposhti me Ippon spanjollen Carla Mascaro Ubasart.

Në çerekfinale, Gjakova e mposhti me Ippon xhudisten nga Rusia Daria Mezhetskaia, kurse në gjysmëfinale pësoi humbje me Ippon në vazhdime nga portugezja Telma Monteiro.

Në garën e fundit për medaljen e bronztë, Gjakova e mposhti me Ippon garuesen gjeorgjiane, Eteri Liparteliani.

Flaka Loxha – kategoria deri në 57 kilogramë

Flaka Loxha ishte xhudistja e parë nga ekipi kosovar, e cila e mbylli këtë garë qysh në raundin e parë.

Loxha në kategorinë deri në 57 kilogramë, në raundin e parë u mposht me Wazaari nga xhudistja nga Sllovenia, Kaja Kajzer.

Akil Gjakova – kategoria deri në 73 kilogramë

Akil Gjakova u shpall Kampion i Evropës në Kampionatin Evropian në Lisbonë të Portugalisë.

Në rrugëtimin e tij drejt medaljes së artë, Gjakova në raundin e parë ishte i lirë, kurse në ndeshjen e parë të tij fitoi me Ippon kundër izraelitit Ido Levin. Gjakova në ndeshjen e dytë e mposhti po ashtu me Ippon garuesin gjerman, Anthony Zingg.

Akili në çerekfinale mposhti me tri dënime për Ippon rusin, Musa Mogushkov, kurse në gjysmëfinale e mposhti me Ippon zviceranin Nils Stump.

Në luftën e fundit për medaljen e artë, Akili e mposhti me Wazaari xhudistin nga Izraeli, Tohar Butbull.

Laura Fazliu – kategoria deri në 63 kilogramë

Laura Fazliu u rendit e pesta në këtë garë, ku në ndeshjen e parë mposhti me Ippon gjermanen Dena Pohl. Në raundin e dytë ajo e mposhti me Wazaari xhudisten nga Holanda, Juul Franssen.

Në çerekfinale, Fazliu humbi me Wazaari në vazhdime kundër ruses Daria Davydova, kurse në fazën e repesazhit e mposhti me tri dënime për Ippon italianen Maria Centraçhion.

Për të bronztën Fazliu humbi me Ippon kundër holandezes, Sanne Vermeer dhe kështu u rendit e 5-ta.

Loriana Kuka – kategoria deri në 78 kilogramë

Po ashtu, sikurse Laura Fazliu, xhudistja Loriana Kuka arriti ta rrëmbejë pozitën e pestë në këtë Evropian.

Kuka në xhiron e parë ishte e lirë, kurse në ndeshjen e parë mposhti me Ippon ukrainasen, Anastasiya Turchyn. Në çerekfinale, Kuka e mposhti me Ippon në vazhdime garuesen nga Austria, Bernadette Graf.

Loriana në gjysmëfinale humbi me Ippon në vazhdime nga holandezja, Guusje Steenhuis, kurse për të bronztën pësoi humbje me Ippon kundër francezes Estelle Fanny Posvite.

Kosova në këtë Kampionat u rendit e para, me dy medalje të arta nga Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova, një të bronztë nga Nora Gjakova dhe dy vende të 5-ta nga Loriana Kuka dhe Laura Fazliu.

Pas Kampionatit Evropian të Lisbonës, pasoi European Open i Zagrebit të Kroacisë.

EUROPEAN OPEN (KUPA E BOTËS) ZAGREB – KROACI

Kjo garë u zhvillua më datat 1 dhe 2 maj të këtij viti, ku Kosova u përfaqësua nga gjashtë xhudistë.

Në mesin e 473 garuesve nga mbarë bota ishin edhe: Erza Muminoviq, Flaka Loxha, Fationa Kasapi, Laura Fazliu, Arbër Kullashi dhe Shpati Zekaj.

Laura Fazliu – kategoria deri në 63 kilogramë

Në këtë garë Laura Fazliu në xhiron e parë ishte e lirë kurse në ndeshjen e parë fitoi me Wazaari dhe Ippon kundër kroates, Ivana Mandaric. Në ndeshjen e dytë mposhti po ashtu me Ippon garuesen nga Holanda, Nadiah Krachten.

Fazliu në çerekfinale mposhti me Ippon në vazhdime garuesen nga Ukraina, Yuliia Hrebenozhko, ndërsa në gjysëmfinale humbi me Ippon nga garuesja vendase, kroatja Iva Oberan.

Laura për të bronztën e mposhti me Ippon çeken, Michaela Kulikova.

Erza Muminoviq – kategoria deri në 52 kilogramë

Erza Muminoviq u rendit e 7-ta, ku në ndeshjen e parë mposhti me Ippon spanjollen, Patricia Martin Gallardo. Muminoviq në ndeshjen e dytë mposhti me Wazaari dhe Ippon rumunen, Elena Stere.

Muminoviq në çerekfinale humbi me Ippon nga xhudistja nga Italia, Kenya Perna, kurse pas asaj humbje ajo u kualifikua të ndeshej në repasazh ku humbi me tri dënime për Ippon nga garuesja e Izraelit, Yardeen Raab.

Flaka Loxha – kategoria deri në 57 kilogramë

Sikurse Erza Muminoviq, pozitën e shtatë e në këtë garë e zuri edhe Flaka Loxha.

Ajo në xhiron e parë ishte e lirë, kurse në ndeshjen e parë mposhti me Ippon britanezen, Stephanie Walker. Loxha në ndeshjen e dytë e mposhti me Ippon polaken Daniela Badura-n.

Në çerekfinale humbi me Wazaari nga garuesja e Holandës, Pleuni Cornelisse, ndërsa në repasazh humbi në vazhdime me tri dënime për Ippon, nga portugezja Wilsa Gomes.

Fationa Kasapi – kategoria deri në 57 kilogramë

Në raundin e parë, Fationa Kasapi ishte e lirë, kurse në ndeshjen e parë e mposhti me Ippon austriaken Julia Sommer. Në ndeshjen e dytë humbi me Wazaari nga polakja Arleta Podolak dhe nuk vazhdoi tutje.

Shpati Zekaj – kategoria deri në 100 kilogramë

Në këtë kupë të botës, xhudisti Shpati Zekaj në ndeshjen e parë mposhti me tri dënime për Ippon çekun Matej Slivestr. Në ndeshjen e dytë e mposhti po ashtu me tri dënime për Ippon garuesin nga Zvicra, Daniel Eich.

Në çerekfinale, Zekaj e mposhti me Ippon garuesin hungarez Veg Zsombor, kurse në gjysmëfinale shënoi fitore kundër garuesit vendas, kroatit Marko Kumric.

Në finale, Shpati Zekaj u mposht nga ukrainasi Anton Savytskiy dhe siguroi medaljen e argjendtë në këtë garë.

Arbër Kullashi – kategoria deri në 81 kilogramë

Garat për xhudistin kosovar Arbër Kullashi në këtë kupë të botës përfunduan qysh në raundin e parë.

Kullashi humbi me Ippon në ndeshjen e parë kundër garuesit nga Austria, Sebastian Dengg.

Kosova e përfundoi këtë garë me një të argjendtë nga Shpati Zekaj, një të bronztë nga Laura Fazliu dhe dy vende të shtata nga Flaka Loxha dhe Erza Muminoviq. Ekipi kosovar i xhudos vazhdoi me gara ndërkombëtare, ku morën pjesë në Kampionatin Botëror, i cili u zhvillua në Budapest të Hungarisë.

Ky Botëror u zhvillua nga data 6 deri më 13 qershor.

KAMPIONATI BOTËROR NË BUDAPEST TË HUNGARISË

Në këtë Kampionat morën pjesë pesë kontinente, 118 shtete, 665 garues, 387 meshkuj, 278 femra, ku Kosova u përfaqësua nga Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Flaka Loxha, Akil Gjakova dhe Laura Fazliu.

Medalja e vetme në këtë garë u fitua nga Nora Gjakova, e cila arriti ta fitojë medaljen e bronztë.

Distria Krasniqi – kategoria deri në 48 kilogramë

Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi arriti në këtë Kampionat ta zë vendin e pestë.

Në raundin e parë, Krasniqi fitoi me Ippon pasi që nuk u paraqit në tatami garuesja vendase, hungarezja Eva Czernovicki. Në raundin e dytë xhudistja kosovare e mposhti me Wazaari në vazhdime rusen Sabina Giliazova.

Në çerekfinale, Krasniqi e mposhti me Wazaari dhe Ippon garuesen nga Spanja, Laura Abelenda Martinez, kurse në gjysmëfinale u mposht me Ippon nga japonezja Natsumi Tsunoda.

Pas kësaj humbjeje, ajo u kualifikua të ndeshej për medalje të bronztë, ku humbi me tri dënime për Ippon kundër mongolezes Urantsetseg Munkhbat.

Nora Gjakova – kategoria deri në 57 kilogramë

Nora Gjakova arriti ta fitojë medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të xhudos në Budapest.

Nora në ndeshjen e parë fitoi me Ippon kundër polakes Julia Kowalczyk, kurse në ndeshjen e dytë Gjakova mposhti me Wazaari në vazhdime garuesen nga Holanda Sanne Verhagen.

Ajo në çerekfinale mposhti me Ippon rusen Anastasiia Konkina, kurse në gjysmëfinale humbi me Wazaari dhe Ippon nga garuesja kanadeze, Jessica Klimkait.

Pas kësaj humbjeje, ajo u kualifikua të ndeshet për medalje të bronztë ku mposhti me Wazaari serben, Marica Perisic.

Flaka Loxha – kategoria deri në 57 kilogramë

Në këtë garë, Flaka Loxha në ndeshjen e parë mposhti me Ippon garuesen nga Zelanda e re, Justine Bishop.

Loxha në ndeshjen e dytë u takua me kanadezen Christa Deguchi, ku humbi me Ippon dhe nuk vazhdoi tutje.

Akil Gjakova – kategoria deri në 73 kilogramë

Raundin e parë të kësaj gare, xhudisti Akil Gjakova e kaloi pa luftë, kurse në ndeshjen e parë e mposhti me Ippon egjiptianin Mohamed Mohyeldin.

Gjakova në ndeshjen e dytë humbi në vazhdime me tre dënime për Ippon kundër garuesit italian, Giovanni Esposito dhe nuk vazhdoi tutje.

Laura Fazliu – kategoria deri në 63 kilogramë

Këtë garë xhudistja Laura Fazliu e mbylli menjëherë pas ndeshjes së saj të parë.

Fazliu raundin e parë e kaloi pa luftë, kurse në raundin e dytë u mposht nga xhudistja nga Brazili, Ketleyn Quadros dhe nuk vazhdoi tutje.

Këtë Kampionat Botëror që u mbajt në Budapest të Hungarisë, ekipi kosovar i xhudos e mbylli me vetëm një medalje të fituar, atë të bronztën nga xhudistja Nora Gjakova.

Pas këtyre garave, që Kosova u përfaqësua denjësisht, nga ekipi kosovar i xhudos, në muajin qershor filloi shkrimi i një faqeje të re të historisë së Kosovës në këtë sport.

Më datën 23 qershor, u mbajt ceremonia e hapjes dhe parakalimit të shteteve pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, ku flamurin e Kosovës e bartën asokohe Kampionia Olimpike, Majlinda Kelmendi dhe Kampioni Evropian, Akil Gjakova.

Medalja e parë e artë Olimpike për Kosovën kishte ardhur përmes Majlinda Kelmendit, e cila kishte triumfuar në kategorinë deri në 52 kilogramë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.

Ndërkaq, në Tokio 2020 Kosova mori medaljen e dytë të artë Olimpike përmes Distria Krasniqi në kategorinë deri në 48 kilogramë, kurse xhudistja Nora Gjakova në kategorinë deri në 57 kilogramë arriti që t’i bashkohet Majlinda Kelmendit dhe Distria Krasniqit, duke i sjellë Kosovës medaljen e tretë të artë Olimpike.

LOJËRAT OLIMPIKE TOKIO 2020

Në LO Tokio 2020 Kosova u përfaqësua nga 11 sportistë, ndër ta pesë me norma nga sporti i xhudos.

Distria Krasniqi, Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Akil Gjakova dhe Loriana Kuka përfaqësuan shtetin tonë në këtë Olimpiadë, ku edhe arritën të bëjnë histori.

Distria Krasniqi – kategoria deri në 48 kilogramë

LO Tokio 2020 Distria Krasniqi i nisi në mënyrën më të mirë, ashtu sikurse edhe e përfundoi.

Krasniqi në raundin e parë ishte e lirë, kurse në raundin e dytë e mposhti me Ippon brazilianen Gabriela Chibana, ndërsa në çerekfinale e mposhti me Ippon edhe kinezen nga Taipei, Chen-Hao Lin.

Në gjysmëfinale, Kransiqi e mposhti me Wazaari mongolen Urantsetseg Munkhbat.

Distria në finale mposhti me Wazaari japonezen, Funa Tonaki, ku u shpërblye me titullin Kampione Olimpike, hera e dytë për Kosovën, përsëri nga sporti i xhudos.

Nora Gjakova – kategoria deri në 57 kilogramë

Nora Gjakova ishte xhudistja, e cila e kompletoi “Hat-trickun” e Kosovës me medalje të arta Olimpike.

Nora në raundin e parë ishte e lirë, kurse në raundin e dytë e mposhti me Wazaari holandezen Sanne Verhagen.

Në çerekfinale ajo mposhti me Wazaari dhe Ippon sllovenen Kaja Kajzer, ndërsa në gjysmëfinale Gjakova e mposhti me Wazaari japonezen, Kampionen e Botës në vitin 2018, Yoshida Tsukasa-n.

Në finale Gjakova e mposhti me Ippon francezen Sarah Leonie Cysique, për të u stolisur me medalje të artë.

Akil Gjakova – kategoria deri në 73 kilogramë

Në krahasim me motrën e tij, Norën, xhudisti Akil Gjakova u rendit në pozitën e shtatë në këtë Olimpiadë.

Akili në raundin e parë e mposhti me Ippon garuesin nga Jemeni, Ahmed Ayash, kurse në raundin e dytë e mposhti me Wazaari dhe Ippon zviceranin Nils Stumpin.

Në raundin e tretë ai mposhti me Wazaari suedezin Tommy Macias, ndërsa Gjakova në çerekfinale humbi me Wazaari në vazhdime, kundër garuesit nga Mongolia Tsogtbaatar, Tsend-Ochir.

Pas kësaj humbjeje, Gjakova u kualifikua të ndeshet në repesazh dhe humbi me Wazaari kundër garuesit nga Azerbajxhani, Rustam Orujov, për të përfunduar i 7-ti.

Majlinda Kelmendi – kategoria deri në 52 kilogramë

Kampionia e parë Olimpike e Kosovës, Majlinda Kelmendi, e cila ishte stolisur me medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, nuk arriti që edhe në LO “Tokyo 2020” ta bartë të njëjtin sukses.

Kelmendi u eliminua qysh në raundin e parë të kësaj Olimpiade, ku pësoi humbje me Wazaari nga hungarezja Reka Pupp.

Loriana Kuka – kategoria deri në 78 kilogramë

Njëjtë sikurse Majlinda Kelmendit, fati në këto LO “Tokyo 2020” nuk ishte as në anën e Loriana Kukës.

Raundin e parë Kuka e kaloi pa luftë, kurse në raundin e dytë xhudistja kosovare u mposht nga xhudistja ruse, Aleksandra Babintseva.

Me dy medalje të arta në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” Kosova u rendit para shumë shteteve të ndryshme evropiane si: Franca, Gjermania, Austria, Sllovenia e Rusia në ranglistën me më së shumti të arta të fituara në LO “Tokyo 2020”.

Arritja e Ekipit Olimpik të xhudos në Kosovë u bë me ceremoni shtetërore në pritje të kryeministrit Albin Kurti, ku dy medalje Olimpike zbarkuan në shtetin dardan.

Me këto arritje në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, Kampionet Olimpike, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova së bashku me trajnerin e tyre, Driton Kukën u dekoruan me dekoratën më të lartë të shtetit tonë Amë “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Xhudo në Kosovë vazhdoi zhvillimin me rezultate tejet pozitive, ku gjatë këtij viti u inaugurua Qendra Nacionale e xhudos në Pejë.

Gjatë këtij inaugurimi, dy Kampionet Olimpike, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi u dekoruan me çmimin “Nderi i Kombit” nga presidentja Vjosa Osmani, ku Distria mori edhe medaljen Presidenciale.

Presidenti i Federatës ndërkombëtare të xhudos, Marius Vizer dekoroi tri medalistet Olimpike me statujën e themeluesit të xhudos Jigoro Kano, kurse Agron dhe Driton Kukën me medalje të arta që është çmimi më i lartë i Federatës Ndërkombëtare të xhudos.

Por, pas këtyre momenteve dhe kujtimeve fantastike nga ekipi kosovar i xhudos, erdhi një lajm i hidhur për shtetin e Kosovës.

Xhudistja dhe kampionia olimpike në “Rio 2016”, Majlinda Kelmendi vendosi që t’i japë fund karrierës së saj dhe të pensionohet.

Me këtë rast reagoi edhe Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF)

“Ajo sfidoi të gjithë kontinentin dhe të gjithë botën dhe po ashtu e ringjalli lëvizjen Olimpike dhe e bëri këtë gjë në qetësi. Gjithmonë vetëm duke punuar shumë për tu bërë atletja më e mirë që ajo mund të jetë, duke mos kërkuar kurrë për vëmendje nga mediat por vetëm duke punuar. Ajo e ndjeu përgjegjësinë për të shndritur shtetin e saj me lumturi, duke mos e lënë kurrë në baltë dhe e kemi parë qartazi, kohë pas kohe. Ajo nuk lufton vetëm për Majlindën ose për ekipin e saj, ajo lufton për Kosovën, duke e ditur që të arriturat e saj do të hapin dyer për vajza të tjera, xhudistë të rinj që të besojnë në të bukurën e mundësisë. Ne i dëshirojmë gjitha të mirat dhe sukses të vazhdueshëm në të ardhmen e saj”, ishte reagimi i IJF.

Vitin 2021 në sportin e xhudos me gara e mbylli xhudistja dhe e arta Olimpike, Distria Krasniqi, e cila garoi në Grand Slamin e Bakut në Azerbajxhan.

GRAND SLAM BAKU – AZERBAJXHAN

Në këtë garë morën pjesë 5 kontinente, 29 shtete, 196 garues, 129 meshkuj dhe 67 femra. Kosovën e përfaqësoi e vetme Distria Krasniqi.

Distria Krasniqi – kategoria deri në 52 kilogramë

Në ndeshjen e parë Krasniqi e mposhti me Wazaari japonezen Nanako Tsubone, kurse në çerekfinale humbi në vazhdime me Ippon nga hungarezja Reka Pupp.

Pas kësaj humbjeje, ajo u kualifikua të ndeshej në repesazh ku e mposhti me Ippon belgen Amber Ryheul.

Distria për të bronztën humbi në vazhdime me Ippon kundër garueses nga Rusia, Anastasia Polikarpova dhe kështu u rendit e 5-ta në këtë Grand Slam.

Pasi që edhe përfunduan zyrtarisht garat në sportin e xhudos, më 5 dhjetor u mbajt edhe “EJU GALA DINNER 2021”, ku kampionet tona Olimpike të “Tokyo 2020”, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova u shpërblyen me dekoratë nga Federata Evropiane e Xhudos për rezultatin e arritur në Lojërat Olimpike.

Me dekoratë u shpërblye edhe Federata e xhudos e Kosovës për medaljet e fituara në Lojërat Olimpike.

Më 6 dhjetor HEROINA E KOSOVËS, MAJLINDA KELMENDI, xhudistja jonë e artë e mbylli karrierën si sportiste aktive për të vazhduar atë si trajnere.

Në cilësinë e nikoqires në këtë ceremoni presidentja Vjosa Osmani shprehu mirënjohjen më të përzemërt për kampionen e shumëfishtë në xhudo, Majlinda Kelmendin dhe i ndau Urdhrin “Shotë Galica”, i cili u jepet personave që kanë avokuar apo kanë bërë vepra apo akte guximi.

Po ashtu, me këtë rast foli edhe trajneri i Majlinda Kelmendit, Driton Kuka.

“Më krenove mua, krenove familjen, krenove një Komb Majlindë. Kënaqësi kur Majlinda ka pushtuar Rusinë, Brazilin dhe vende tjera që nuk e kanë pranuar realitetin e quajtur Kosovë. Të jam mirënjohës deri në frymën e fundit Majlindë”, u shpreh Driton Kuka.

Ndërsa, Majlinda Kelmendi u shpreh se tani e tutje dijen dhe përvojën e saj do ta përcjellë te gjeneratat e reja, pas pensionimit si sportiste aktive. Ajo falënderoi trajnerin dhe ekipin.

“Një falënderim shumë shumë për vendin tim, për popullin tim, që keni qenë frymëzimi im. Ka qenë nder dhe privilegj shumë i madh për mua ta përfaqësoj Kosovën”, tha ajo mes lotësh.

Pas të gjitha këtyre ngjarjeve, ku xhudo e ngriti Kosovën në majat botërore, “qershia mbi tortë” ishin çmimet e më të mirëve në botë për këtë vit.

DRITON KUKA – TRAJNERI MË I MIRË NË BOTË PËR VITIN 2021

Driton Kuka u shpall trajneri më i mirë në botë nga Federata botërore e xhudos për vitin 2021. Kuka këtë vit si trajner fitoi dy të arta olimpike në LO “Tokyo 2020′.

Sukseset, të cilat i ka arritur Kuka me xhudistët e tij janë të pa imagjinueshme, ku si trajner në koleksionin e tij ka shumë medalje evropiane, botërore e olimpike dhe çdo fjalë për të është e tepërt.

DISTRIA KRASNIQI – XHUDISTJA MË E MIRË E VITIT 2021

Në anën tjetër, Kampionja olimpike, Distria Krasniqi u shpall xhudistja më e mirë në botë nga Federata botërore e xhudos për vitin 2021. Krasniqi këtë vit arriti suksesin më të madh në karrierën e saj si sportiste, të artën në LO Tokyo 2020.

Distria në të kaluarën ishte kampione evropiane, medaliste botërore dhe fituese e tri garave Masters.

“Jam tejet e lumtur dhe krenare që e kam përfunduar këtë vit si një kampione Olimpike dhe numër një në ranglistën botërore, është një ndjenjë madhështore që më në fund puna e palodhshme është shpaguar”, u shpreh Krasniqi.

Viti 2021, pavarësisht situatës pandemike me Covid-19, e cila e goditi të gjithë botën, do të mbahet në mend si ndër vitet më të mira dhe më të suksesshme në historinë e shtetit tonë, ku flamuri dhe himni i Kosovës u ngritën dhe u dëgjuan në shumë podiume botërore nga ekipi kosovar i xhudos./Kp