Nga një muaj paraburgim për dy të dyshuarit për spiunazh, njëri nga ta dëshmitar i një rasti në Hagë

Dy të dyshuarit e arrestuar për spiunazh do të qëndrojnë në paraburgim për 30 ditë. Kështu është vendosur nga gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e gjykatës, Mirlinda Gashi.

Avokati i të dyshuarit për spiunazh: Ai është dëshmitar i një rasti në Hagë

Mbrojtësi i të dyshuarit për spinuazh, B.Sh. avokati Besnik Berisha ka thënë se klienti i tij është dëshmitar i një rasti në Hagë.

“Është dëshmitar i prokurorisë që ta dini ju edhe ne Hagë, rastin ne Prokurori, ai na tha neve publikisht une e thash në seancë”, ka deklaruar Berisha.

Berisha ka thënë se B. Sh mendon se po persekutohet nga biznese si rezultat i punës së tij të mëhershme.

‘Dhe, ai mendon se po persekutohet nga biznese të caktuara si rezultat i punës së tij disa vite kështu me radhë”, ka shtuar ai.

B.Sh bashkë me një të dyshuar tjetër janë arrestuar një ditë më parë nën dyshimin se janë marrë me aktivitete të spiunazhit.

Sot, ata kanë dalë para gjykatës pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që t’iu caktohet masa e paraburgimit.

Në këtë seancë, pritet të vendoset për kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së sigurisë ndaj dy të dyshuarve.

Gjatë ditës, Prokuroria kishte dorëzuar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve.

Sipas PSRK-së, dy të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Spiunazhi” nga neni 124, par. 3 të Kodit Penal, ndërkaq i pandehuri M.Q. ka kryer edhe veprën tjetër penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal, si dhe ekziston dyshimi se të pandehurit kishin për t’i kryer veprat penale për të cilat dyshohen.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës e Republikës së Kosovës (PSRK) të mërkurën njoftoi se pas zhvillimit të hetimeve disamujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka zhvilluar bastisje në dy lokacione të Kosovës dhe ka arrestuar dy persona me nënshtetësi kosovare, B.Sh dhe M.Q., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”.

Policia e Kosovës (PK) përmes raportit 24 orësh, ka bërë të ditur se në shtëpitë e dy të dyshuarve që u arrestuan të mërkurën për spiunazh, u gjetën dhe sekuestruan dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë, municione, maska, gasmaska ushtarake dhe shumë dëshmi të tjera.

Sipas Policisë, arrestimi i të dyshuarve erdhi pasi në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorinë speciale, janë ndërmarrë veprime hetimore lidhur me dyshimet për spiunazh. /BetimipërDrejtësi

Back to top button