Nga petët deri tek sherbeti! Tradita e moçme e përgatitjes së bakllavasë kërçovare

Para kamerës nuk duan të flasin e as të lëvdohen, por kur bëhet fjalë për bakllavanë gratë kërçovare janë të papërtuara!
Në prag të Bajramit të madh, kanë përveshur mëngët dhe tëhollojnë petët.
Bakllava bën çdo qytet, thonë zonjat nikoqire, por çdo vend ka traditën e vet të përgatitjes.
Sekreti shpesh qëndron te përgatitja e brumit. Në traditën kërçovare receta është ruajtur dhe trashëguar ndër breza.
-Duhet miell, qumësht e vezë shtëpie, tregojnë zonjat, duke formuar goglat të cilat lihen 3 orë për të ardhur.
-Pas tëhollimit, bëhen gati për vendosje në tepsi.
-Për mbushje arrat e grira janë të domosdoshme. Një petë e tëholluar – një shtresë arra.
-Pjesa më e vështirë është prerja, që do shumë kujdes dhe vëmendje.
-Piqet për gati dy orë, me shumë kujdes që të mos teprohet me pjekje.
-Sherbeti është marifet më vete, që do kohë të mësohet.
Pas më shumë se 6 orëve bakllavaja kërçovare është gati, ndërsa do të shërbehet për mysafirët ditën e Fitër Bajramit. Është delikatesë e mrekullueshme, thonë prapa kamerës, zonjat e shtëpisë, por ankohen se gjeneratat e reja shumë pak dinë ta përgatisin këtë ëmbëlsirë tradicionale, ndërsa më lehtë u vjen të ta blejnë të gatshme./21Media

Back to top button