​Nga Qeveria tregojnë pse Kurti nuk mori pjesë në takimin me presidenten Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë sot se nuk i di arsyet përse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka marrë pjesë në takimin konsultativ për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve.

Zëdhënësi I Qeverisë, Përparim Kryeizu, ka treguar se kryeministri Albin Kurti nuk ka mundur të marrë pjesë për shkak të një dreke me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë.

Drekë kjo, e cila sipas Kryeziut ishte caktuar që nga 10 korriku.

“Gjatë intervalit kohor të mbledhjes së ftuar nga Presidentja, Kryeministri po merrte pjesë në një drekë me 21 ambasadorë të akredituar në Kosovë, ku ishte i ftuar si mysafir nderi. Dreka është caktuar me 10 korrik. Konfirmimi nga ana e kryeministrit për këtë drekë është bërë para tre jave”, ka thënë Kryeziu.

Por, ka thënë se në pamundësi të pjesëmarrjes së kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje ka sugjeruar që të përfaqësohet nga nënkryetari i saj, Glauk Konjufca.

“Në pamundësi për të marrë pjesë në orarin e propozuar, kryeministri Kurti ka sugjeruar që LV të përfaqësohet nga nënkryetari i parë i saj, Glauk Konjufca. Gjë që konsiderojmë që do të duhej të ishte e pranueshme. Kryeministri Kurti është i gatshëm të marrë pjesë në çdo takim të ardhshëm në një ditë dhe orë të përshtatshme”, ka shtuar Përparim Kryeziu.

E, për këtë presidentja Vjosa Osmani, tha se duke qenë se prezentë ishin të gjithë kryetarët e partive politike, nuk ka dashur të thyejnë këtë parim, pavarësisht kërkesës për të qenë prezentë nënkryetari Glauk Konjufca./kp

Back to top button