Nga sot fillon realizimi i projektit ”Fëmijët shpëtojnë jetë”

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka treguar se nga sot fillon realizimi i projektit ”Fëmijët shpëtojnë jetë”, projekt ky i ideuar para një vitit në bashkëpunim me komunitetin e mjekëve shqiptaro-amerikan.
Në bashkëpunim me ekipin e mjekëve shqiptaro-amerikan nga nesër deri më 10 Qershor në kazermat e FSK-së, të Prishtinës, Gjilanit, Ferizajt dhe Istogut me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollave të mesme të vendit do të realizohet projekti ”Fëmijët shpëtojnë jetë”.
”Për t’u dëshiruar mirëseardhje, mirënjohje dhe fillim të mbarë të projektit tonë, sot së bashku me Ministrin Latifi, Gjeneral Cikaqin dhe mjekët tanë, prita në takim, udhëheqësin e projektit nga komunitetit i mjekëve shqiptaro-amerikan, Dr. Sylejman Çelaj dhe Dr. Jose Willey.
Projekti “Fëmijët shpëtojnë jetë” është projekt vullnetar i cili realizohet me iniciativën e përbashkët të Ministrisë së Mbrojtjes, FSK-së dhe mjekëve shqiptaro-amerikan, të përkrahur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Arsimit”, ka shkruar Mehaj.
Ekipi i mjekëve në bashkëpunim me Regjimentin e Mjekësisë të FSK-së do të realizojë trajnimin 4 ditor për 400 nxënës të shkollave të mesme nga 25 komunat e vendit me përfshirje të të gjitha komuniteteve.
Gjatë këtyre ditëve, fëmijët do të kenë mundësinë që të marrin mësime bazike për të dhënë ndihmën e parë dhe për të përdorur defibrilatorët në raste të situatave të papritura dhe aksidenteve, me c’rast ata do të kenë njohuritë bazike, që do të rezultonte në uljen e rrezikut duke shpëtuar jetën e çdo qytetari që mund të gjendet në një situatë të rrezikshme për jetën.
Ekipi i mjekëve dhe komuniteti shqiptaro-amerikan kanë grumbulluar donacione në vlerë prej 50 mijë dollar, me ç’rast në mënyrë vullnetare do të sjellin eksperiencën e tyre profesionale dhe specialistike, si dhe defibrilatorët si donacion dhe mbështetje për FSK-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë.
Ky aktivitet është edicioni ”Kosova 2022” dhe ka për qëllim të jetë aktivitet tradicional, si dhe të organizohet një herë në vit. Aktiviteti ka për qëllim që në vitet në vijim të zgjerojë rrjetin e mjekëve shqiptar gjithandej botës, të cilët vullnetarisht do t’i bashkohen kësaj iniciative dhe një herë në vit të vizitojnë Kosovën dhe të japin kontributin e tyre për atdheun e tyre.
Ky aktivitet është pjesë e projektit tonë për futjen e lëndës së Mbrojtjes, Sigurisë dhe Paqes në plan-programin e shkollave tona, krahas bashkëpunimit të ngushtë me diasporën tonë, në këtë fushë dhe shumë fusha tjera me interes për rininë tone, qytetarët tanë dhe së ardhmes së kombit dhe atdheut tonë.
”Atdheu ynë është vendtakimi ynë i çdo patrioti dhe ka hapësirë që secili nga ne të japim kontributin tone për edukimin, zhvillimin dhe përparimin e saj në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe mirëqenies së vendit dhe qytetarëve tanë. Urime e na priftë e mbara gjithmonë së bashku”, ka shkruar tutje Mehaj./21Media

Back to top button