Nga sot fillon të jepet doza e tretë dhe përforcuese e vaksinës antiCOVID-19
Sot në Kosovë do të fillojë të jepet doza përforcuese dhe doza e tretë e vaksinës antiCOVID-19.
Ministria e Shëndetësisë dje përmes një njoftimi për media ka dhënë disa sqarime rreth këtyre dy dozave.
Sipas MSH-së doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë.
Kurse, doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese me rekomandim të mjekut ordinues.
Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë. Dozën përforcuese dhe dozën e tretë mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare sipas intervaleve kohore për dozat e lartë cekura.
Në 24 orët e fundit janë dhënë 3.236 doza të vaksinës kundër COVID-19. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.633.364 doza të vaksinës. Kurse, deri më sot 768.814 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë./21Media