Ngjarjet që ia vunë pikën 2018-ës

Viti 2018 nisi me “zhurmat” që i la të freskëta fundi i vitit 2017

Viti që po lëmë pas filloi me gjërat që kishin ngritur pluhur gjatë fundit të vitit 2017, duke pasuar me ngjarje tjera.

Në fund të vitit 2017 kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pat marrë vendim për rritjen e pagave për 100% të kabinetit qeveritar. Ky vendim përveç kundërshtimit opozitës, u kundërshtua edhe nga Agjencia Kundër Korrupsionit e cila e konsideroi si të jashtëligjshëm. Vendimi u pezullua për disa muaj, derisa Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi më 11 qershor se ai nuk është jokushtetues.

Tendenca për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe zyrtarizmi i punës së saj

Fillimi i vitit 2018 na gjeti me iniciativën për të shfuqizuar Specialen, ndërsa fundi i këtij viti zyrtarizoi fillimin e punës së saj.

Nisma e 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës e iniciuar më 22 dhjetor të vitit të kaluar, përfundoi në muajt e parë të këtij viti, me tërheqjen e liderëve nga shfuqizimi i Ligjit për Specialen.

Ndërsa në muajin e fundit të këtij viti Gjykata Speciale ka filluar t’i thërras për intervistim disa nga ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykata Speciale është përgjegjës për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011. Në atë raport thuhet që krimet gjoja se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000.

Vrasja e Ivanoviqit

Krahas këtyre zhvillimeve, fillimi i vitit 2018 mbahet mend edhe për vrasjen e liderit të iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” [SDP] në Kosovë, Oliver Ivanoviq, i cili është gjetur i vrarë më 16 janar pranë selisë së partisë së tij në veri të Mitrovicës.

Ndërkohë në muajin nëntor të këtij viti me urdhër Prokurorisë Speciale së Kosovës janë arrestuar tre të dyshuar për vrasjen e Ivanoviq. Po ashtu i dyshuar sipas Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë është edhe nënkryetari i Listës Serbe Millan Radoqiq , i cili është ende në kërkim.

Nga demarkacioni deri tek mosliberalizmi i vizave

Ratifikimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi ishte njëri ndër kushtet e fundit nga Bashkimi Evropian për liberalizmin e vizave. E pikërisht Demarkacioni i mbeti si “dhuratë” qeverisë së re të Kosovës, në krye me Ramush Haradinaj, i cili ishte kundërshtar i demarkimit të kufirit.

Megjithatë që nga janari pas përpjekjeve të dështuara për t’u mbajtur një seancë për Demarakcionin, qëllimi është arritur vetëm në ditën e pranverës, me 21 mars. Po këtë ditë me 80 vota pro, demarkacioni ka kaluar nën tymin e gazit lotsjellës të hedhur në Kuvend nga Lëvizja Vetëvendosje si shenjë revolte ndaj ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, shkruan rtv21.tv.

Por, edhe pse Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizmin e vizave, një gjë e tillë nuk ka ndodhur as këtë vit, madje mund të mos ndodh as vitin e ardhshëm. Kjo duke u bazuar në deklaratën e Komisionerit Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, i cili gjatë qëndrimit në Prishtinë në fillim të muajit dhjetor ka thënë se data më reale për liberalizim është viti 2020, duke mos përjashtuar mundësinë që kjo të ndodh edhe më herët.

Turbulencat në Vetëvendosje, Shpend Ahmeti në krye të PSD-së

Mosmarrëveshjet brenda Lëvizjes Vetëvendosje bënë që disa nga anëtarët e këtij subjekti politik të japin dorëheqje në vitin 2018.

Anëtarët e dorhëhequr u bashkuan në një subjekt tjetër politik PSD, i cili në mars ka zgjedhur për kryetar Shpend Ahmetin.

Nga Vetëvendosje në PSD kaluan, Dardan Molliqaj, Visar Ymeri, Aida Dërguti, Fisnik Ismaili, Besa Baftiu, Faton Topalli, Salih Salihu, Frashër Krasniqi, Shqipe Pantina, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi të cilët janë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë ende po vazhdojnë mosmarrëveshjet ndërmjet Vetëvendosjes dhe PSD-së pasi që kjo e fundit i ka dhënë mbështetje koalicionit qeveritar për dialogun dhe për buxhetin.

Korrigjimi i kufijve

Një ngjarje tjetër e cila ngjalli debat të zjarrtë sivjet ishte ideja e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjimin e kufjive me Serbinë të cilën e prezantoi në muajin korrik. Sipas kësaj ideje Thaçi pretendon që Kosovës t’i bashkohet Lugina e Preshevës dhe këtë ta diskutojnë gjatë dialogut me Serbinë.

Por, kjo po kundërshtohet nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe shumica e spektrit politike të Kosovës, pasi që sipas tyre territori është i panegociueshëm.

Korrigjimi i kufijve si temë ende po flitet në diskursin publik po që nuk është marrë ndonjë hap konkret drejt këtij qëllimi.

Dështimi në Interpol dhe vendosja taksës 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia

Kosova ka dështuar të anëtarësohet në Interpol pasi nuk arriti t’i marrë votat e mjaftueshme për anëtarësim. Për mos pranimi në Interpol, Qeveria e Kosovës e ka fajësuar Serbinë, e cila bëri fushatë të egër kundër Kosovës. Edhe ambasada e SHBA-së ka vlerësuar se dështimi i Kosovës për anëtarësim në Interpol është pasojë e fushatës dhe presionit që ka bërë Serbia te vendet pjesëmarrëse.

Rrjedhshmëria e ngjarjeve të cilat po i kushtonin Kosovës dhe propagandat e egra të Serbisë ndaj Kosovës, bëri që Qeveria e Kosovës të marrë një vendim, i cili do të gjente edhe përkrahjen e opozitës, e kjo është taksa 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia.

Ky vendim që gjeti të unifikuar të gjitha subjektet politike në Kosovë, nuk mori përkrahjen e plotë nga Bashkimi Evropian, i cili është shprehur kundër taksës duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta tërheq këtë vendim. Mirëpo një gjë e tillë sipas Kryeministrit Ramush Haradinaj nuk do të ndodhë deri sa Serbia ta njeh Kosovën.

USHTRIA

Qershia mbi tortë e këtij viti është formimi i Ushtrisë së Kosovës. Kuvendi i Kosovës me 14 dhjetor ka miratuar transformimin e Forcës së Sigurisë në Ushtri të Kosovës. Formimi i Ushtrisë ka unifikuar politikën vendase dhe ka gjetur përkrahjen e SHBA-së.

Një veprim i tillë është kundërshtuar fuqishëm nga Serbia, e cila ka mbledhur Këshillin e Sigurimit, ku janë përballur Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq, derisa ky i fundit e konsideronte Ushtrinë e Kosovës si të rrezikshme për komunitetin serb në Kosovë, Thaçi i ka siguruar shtetet anëtare të OKB-së se Ushtria e Kosovës do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës përfshirë edhe komunitetet. Presidenti i Kosovës po ashtu në Këshillin e Sigurimit ka përmendur edhe gjenocidin e shkaktuar nga Serbia në luftën e fundit në Kosovë.

Çka po mbetet për 2019 e më tutje

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, arritja e marrëveshjes finale mes të dyja shteteve, është tema e cila po mbretëron në diskursin politik vendor dhe ndërkombëtar.

Vitin 2019 e pret vazhdimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kuvendi i Kosovës tashmë ka zgjedhur delegacionin shtetëror për bisedimet duke tentuar përfshirjen e të gjithëve në dialogun më Serbinë. Edhe pse në këtë delegacion janë vende të rezervuara edhe për përfaqësuesit e LDK-së dhe Vetëvendosjes, ata deri më tani kanë kundërshtuar pjesëmarrjen.

Për unitet të spektrit politik kosovar në çështjen e dialogut është bërë thirrje edhe nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, përmes një letre dërguar Presidentit Hashim Thaçi, ndër tjerash Trump ka kërkuar nga liderët e Kosovës që të shfrytëzohet ky moment siç thotë ai, unik, që të flasin me një zë, me qëllim të arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë./21Media

Back to top button