Ngritet aktakuzë ndaj personit që ndihmoi vrasësin e policit Izet Demaj

Polici Izet Demaj është vrarë në detyrë nga një grabitës i një banke në Istog

Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër, U.M., për veprën penale të “ndihmës në kryerjen e veprës penale vjedhje grabitqare”, lidhur me rastin e vjedhjes një banke në Istog.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri U.M., me datën 27 dhjetor të vitit 2018, në filialin e bankës NLB, në Istog, me dashje ka ndihmuar të pandehurin K.M. (tani i ndjerë), në kryerjen e veprës penale të vjedhjes grabitqare, pasi që paraprakisht kishin planifikuar në hollësi grabitjen e bankës në fjalë, në atë mënyrë që, sipas marrëveshjes paraprake, i pandehuri K.M., merr një pushkë automatike (ASH-78), një revole, një granat dore dhe me pas ja bën me dije të pandehurit U.M., se është gati, i cili merr veturën e të pandehurit K.M., e tipit Golf-4, për ta drejtuar, ndërsa i pandehuri K.M. ulet në pjesën e pasme të veturës, ku gjatë rrugës për në Istog, i njëjti maskon fytyrën, vesh xhaketën e zezë dhe sipër saj pallton me ngjyrë krem, ku me të arritur në Istog, në rrugën “Kadri Keqa”, i njëjti, pasi e fut granatën e dorës në xhepin e palltos, revolen në brez e pushkën automatike nën palltë, del nga vetura, ndërsa i pandehuri U.M., vazhdon rrugën në drejtim të bankës NLB në qendër të Istogut, ku fillimisht e vëzhgon situatën, e pastaj kthehet për në fshatin Shushicë, në pritje për ta lajmëruar i pandehuri K.M. (tani i ndjerë), për të shkuar ta marr të njëjtin. “, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Po ashtu bëhet e ditur se me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.

Sipas komunikatës prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Ngjarja e 27 dhjetorit të vitit të kaluar në Istog ku kanë mbetur të vrarë dy persona, polici Izet Demaj dhe një grabitës ka tronditur publikun. Sipas policisë një grabitës ka tentuar që të plaçkitë filialin e NLB Banës në Istog dhe në tentim për të ikur nga policia ka shkrepur me armë zjarri, ku ka mbetur i plagosur rëndë Demaj dhe si pasojë e plagëve të marra ka vdekur. Polici i ndjerë Izet Demaj ëshë shpallur Hero i Kosovës./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button