“Ngritja e taksës 100% nuk është drejtuar kundër serbëve në Kosovë”

Pacolli uron që rritja e taksës mos të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve elementare

Zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli deklaroi se vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës doganore ndaj mallrave serbe nga 10 në 100% është në kuadër të përpjekjeve për të ndërtuar shtet të dinjitetshëm.

Pacolli është shprehur se vendimi nuk i është drejtuar popullit serb që jeton në Kosovë.

“E njëjta masë vlen edhe për shtetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, i cili po vepron në sinkron me politikat e Serbisë sa i përket sjelljes ndaj Kosovës. Uroj dhe shpresoj që kjo masë mos të ndikoj në rritjen e çmimeve të produkteve elementare në Kosovë, sepse nuk ka arsye. Ne do të jemi pran tregtarëve, prodhuesve dhe qytetarëve në mënyrë që gjithçka siç është paraparë në vendimin e qeverisë të zbatohet në praktikë”, ka shkruar Pacolli në facebook.

Sipas zëvendëskryeministrit Pacolli, votimi i sotëm në mbledhjen e Qeverisë ishte unanim, ashtu siç është shprehur ai, është unik edhe koalicioni qeverisës.

Produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja për në Kosovë nga sot do të kenë taksë prej 100%. Qeveria e Kosovës ka miratuar sot propozimin e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala për të vendosur taksë prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnja./21Media

Back to top button