Nicolas Sarkozy rikthehet në bankën e të akuzuarit

 

 

Nicolas Sarkozy është rikthyer në bankën e të akuzuarit dy javë pas marrjes së dënimit për korrupsion.

Të mërkurën një Gjykatë në Paris nisi procesin për aferën “Bygmalion”, e cila në thelb ka të bëjë me shpërdorimin e fondeve elektorale.

“Bygmalion” ishte agjencia që ish-presidenti francez përdori në vitin 2012 për fushatën e tij presidenciale.

Sipas akuzës, agjencia falsifikoi faturat financiare për të lejuar Sarkozy-n të shpenzonte më shumë para sesa ia lejonte ligji për zgjedhjet.

Ligji francez për zgjedhjet e detyron një kandidat të mos kalojë pragun e 22 milionë e gjysmë euro shpenzime mes dy raundeve të votimit.

Prokurorët vlerësojnë se ish-presidenti Sarkozy shpenzoi dyfishin e vlerës së lejuar apo rreth 43 milionë euro në raundin e dytë.

Shpenzimet e tepërta u fshehën nga agjencia “Bigmalion” me dijeninë e partisë së Sarkozy.

Drejtuesit e agjencisë akuzohen tani për mashtrim, ndërsa ish-presidenti 66-vjeçar për financim të paligjshëm të fushatës.

Gjykimi i çështjes ndaj tyre pritet të zgjatë deri më 15 prill, ndërsa Sarkozy rrezikon një vit burg dhe gjobë 3,750 euro nëse shpallet fajtor.

 

Back to top button