Kurti thotë se në Bruksel është arritur dakordim, por jo marrëveshje

(Lajm i përditësur)

Pas sqarimeve që kryeministri Albin Kurti, i ka dhënë për dakordimin e arritur në Bruksel për targat, në seancën e së enjtes, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. “Unë të thashë nuk është fer ta bësh këtë lojë, Borrellin nuk e kemi zgjedhur ne, ti e ke pëlqyer pak më shumë se ne, ai i njëjtë është si Ashton e Mogherini.
Marrëveshja është terminologji prej fillimit, mirë që je duke e kuptuar rëndësinë e procesit. E ke kuptuar që duhet bashkërendim the që nuk do me ec vetë nuk mund të ecësh vetë sepse ky Kuvend e jep fjalën e fundit”, ka theksuar Krasniqi. Pas kësaj ka reaguar kryeministri Kurti, duke thënë se pajtohet me atë që Kuvendi e ka fjalën e fundit, dhe sipas tij e ka fjalën rregullisht.
“Unë as nuk mundem pa juve, as nuk dua pa juve, mirëpo edhe ju duhet ta pranoni një gjë, se e keni kryeministrin më të rregullt në Parlament sesa shumë deputetë. Shumë deputetë vijnë shumë më rrallë se unë, e unë për ta jam këtu”, ka thënë Kurti.
Kurti: Nuk është marrëveshje, është dakordim

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se deri te arritja e marrëveshjes me Serbinë për targat të mërkurën ka ardhur pasi përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka ndryshuar qëndrim e jo pala kosovare.

“Të hënën në mbrëmje është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët dhe fjala Francë-Gjermani nuk ka qenë askund, pos çështja e targave. Ata që thonë që ajo nuk është pranuar të hënën, është pranuar të mërkurën nuk e dinë për çfarë po flasin. Nuk është marrëveshje, është dakordim. Është deklaratë e Borrellit. Ajo çfarë është bërë mbrëmë është ndryshuar deklarata e Borrellit, ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borrelli ka ndryshuar deklarata”, ka thënë Kurti.

Haradinaj: Evituam rrezikun që mund të përfundonte me viktima

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se me marrëveshjen e arritur të mërkurën për targat, është evituar rreziku për përshkallëzim të veriut.

Sipas tij, sfida tash është rikthimi i zyrtarëve serbë që kishin lënë punën në institucione.

“Kemi disa ditë që kemi drejtuar situatën në veri. Me marrëveshjen e djeshme e kemi evituar rrezikun e parë që mund të kishte viktima qofshin policë apo qytetarë serbë. Por dje me marrëveshjen nuk është zgjidhur situata në veri. Sfida që na pret është rikthimi i atyre që i kanë lëshuar vendet e punës apo plotësimi i pozitave. Qeveria duhet të fillojë dialogun me serbët lokalë”, ka deklaruar Haradinaj.

Krasniqi: Ishte kompetencë e kryeministrit, u shndërrua në çështje negocimi me Vuçiqin

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se në javët e fundit është bërë shumë zhurmë që nuk është dashur të bëhet.

Në seancën e Kuvendit, ai ka shtuar se çështja e targave që ishte kompetencë e kryeministrit, “u shndërrua në “çështje të negocimit me Vuçiqin e BE-në”.Krasniqi ka deklaruar se plani franko-gjerman nuk i adreson aspiratat e Kosovës, por se duhet të negocohet.“Plani franko gjerman si draft aktual nuk i adreson aspiratat e Kosovës. Por angazhimi në negocimin e tij është i nevojshëm dhe ju inkurajoj ta bëni një gjë të tillë. Duke të inkurajuar për vendosmëri dhe fokus në arritje të marrëveshjes finale duhet t’i keni parasysh këto 5 shtylla. Ruajta e karakterit kombëtar, njohja formale nga 5 shtetet mosnjohëse, nisjen e procesit të anëtarësimit në NATO, marrjen e statusit të shtetit kandidat dhe njohjen e ndërsjellë me Serbinë”.

 

Muja: Ashtu siç ka insistuar Kurti, do të përshpejtohet dialogu për marrëveshjen për normalizim

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja ka theksuar se pas arritjes së marrëveshjes për targat do të përshpejtohet dialogu për marrëveshjen për normalizim.
“Dje ndërmjetësi i BE-së njoftoi se ka një ujdi mes Kosovës dhe Serbisë. Ashtu siç ka insistuar kryeministri Kurti, do të përshpejtohet dialogu për marrëveshjen për normalizim. Ishte vendosmëria e Qeverisë së Kosovës për sundim të ligjit që e ka prodhuar këtë efekt. Këto ngjarje manifestojnë një ndryshim rrënjësor të pozitës se Kosovës karshi ngjarjeve në rajon e Evropë. Procesi do të jetë i vështirë, Serbia është e paparashikueshme dhe e pandershme në këtë proces. Për këtë arsye kërkohet mbështetje, LVV-ja ka mbështetur çdo herë interesin e vendit, kërkojmë nga opozita të respektojë këtë parim të rëndësishëm për interesat e vendit”, ka theksuar Muja.
10:35- Nis seanca e Kuvendit

 

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë dy seanca plenare.

E para ka nisur pas orës 10:30, ku në rend të ditës do të jetë edhe propozimi i dy kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button