Abdixhiku: Pranimi i marrëveshjes së njëjtë për targat tregon joseriozitetin e krerëve të vendit

Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) e vlerëson dakordimin e mbrëmshëm, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe më mbështetjen e ShBA-ve.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës, është bashkërendimi i ngushtë dhe i përhershëm me partnerët strategjikë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikën.
“Për Kosovën dhe të ardhmen euroatlantike të saj, stabiliteti politik dhe siguria janë parakushte esenciale, ndërsa bashkëpunimi i përgjegjshëm ndërkombëtar garanton shtyrjen përpara të interesave nacionale të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Abdixhiku ka deklaruar se e sheh të dëmshme situatën e krijuar në vend për shkak të targave.
“LDK-ja e ka parë si tërësisht të panevojshme dhe të dëmshme gjithë dramën populliste të krijuar nga institucionet kryesore të vendit gjatë ditëve dhe javëve të fundit. Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë, pas gjithë dramës së shkaktuar, tregon joseriozitetin e drejtuesve aktualë të shtetit në përballje me përgjegjësitë e larta shtetërore. Kjo sjellje, përveç se ka lënduar marrëdhëniet e Kosovës me institucionet ndërkombëtare dhe shtetet mike, për të cilat Kosova ka nevojë, ka bllokuar dhe proceset kryesore integruese të vendit”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë LDK-ja u bën thirrje institucioneve të vendit që të jenë transparente për procesin e dialogut politik, nëpërmjet raportimit në Kuvend përpara përfaqësuesve të zgjedhur. “Deklarimet e fundit të kryeministrit, përveç se kontradiktore, janë dhe tepër të paqarta, së këndejmi, ato krijojnë pasiguri në lidhje me drejtimin e këtij procesi jetik për Kosovën”./21Media

Back to top button