Nis takimi, Borrell: Është koha për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell sot në mëngjes ka zhvilluar takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Pas këtyre takimeve Borrell tha ese është koha për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve mes të dyja vendeve.
“Sot në mëngjes thirra takimin e Dialogut të nivelit të lartë Beograd-Prishtinë. Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë treguar sërish se është koha për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë. Unë pres që të dy udhëheqësit të jenë të hapur dhe fleksibël për të gjetur gjuhën e përbashkët.”, ka shkruar Borrell në Twitter.
Në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian më herët është bërë e ditur se takimi trepalësh do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas njoftimit, gjatë takimit do të trajtohen çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensioneve mes palëve.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret.
Takimin e së enjtes e ka kërkuar kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, më 31 korrik./21Media

Back to top button