Shqipëri-Mali i Zi, nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi mes dy qeverive

(Lajm i përditësuar)
Në kuadër të mbledhjes së dytë të përbashkët midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi u nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi, mes të cilave deklarata e përbashkët midis kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Marrëveshja bilaterale midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi mbi ndërtimin e urës në lumin e Bunës, si dhe marrëveshja për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin Shën Nikollë – Pulaj në territorin e Republikës së Shqipërisë, janë nënshkruar nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Më pas, u nënshkruan nga ministrat përkatës të dy qeverive, marrëveshje dhe memorandume në fushat e energjisë, peshkimit, mbrojtjes së bimëve, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe medias, mbrojtjes, shëndetësisë,
-Deklaratë e Përbashkët në kuadër të mbledhjes së dytë të përbashkët midis qeverive Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi. (Kryeministri Edi Rama dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq)
-Marrëveshje bilaterale midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi mbi ndërtimin e urës në lumin e Bunës. (Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazovic)
-Marrëveshje midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi për hapjen e pikës së përbashkët kufitare Shën Nikollë – Pulaj, në territorin Republikës së Shqipërisë (Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazovic)
-Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e Energjisë midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Investimeve Kapitale të Malit të Zi (Ministrja e infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe Zv/kryeministri dhe Ministri i Investimeve Kapitale Ervin Ibrahimovic)
– Memorandum për bashkëpunimin për realizimin e projekteve të infrastrukturës. (Ministrja e infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe Zv/kryeministri dhe Ministri i investimeve kapitale Ervin Ibrahimovic)
-Marrëveshje bashkëpunimi në fushat e mirëmbajtes dhe menaxhimit të përbashkët të peshkimit në liqenin e Shkodrës dhe lumin e Bunës, midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit të Malit të Zi.
(Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca dhe Zv/kryeministri dhe Ministri i bujqësisë, pylltarisë dhe ujësjellsit Vlladimir Jokovic)
-Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes së shëndetit të bimëve, midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit të Malit të Zi. (Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural Frida Krifca dhe Zv/kryeministri dhe Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit Vlladimir Jokovic)
-Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes sociale midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi (Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Shoqërore Admir Adrović)
-Memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë së Sportit dhe të Rinisë së Malit të Zi (Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi dhe Ministri i Sportit dhe Rinisë Vasilije Llalloshevic.)
-Programi i bashkëpunimit kulturor midis Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Medias së Malit të Zi për periudhën 2023-2025 (Ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe Ministrja e Kulturës dhe Medias së Malit të Zi Masha Vllahovic)
-Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi midis Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi (Ministri i mbrojtjes Niko Peleshi dhe Drejtuesi i Ministrisë së Mbrojtjes Filip Axhic)
-Memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetit të Malit të Zi (Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Shëndetit Dragosllav Shqekic)
Nis takimi i përbashkët i dy qeverive në Podgoricë
Pas pesë vitesh, 2 qeveritë ajo shqiptare dhe malazeze po zhvillojnë mbledhjen e dytë këtë herë në Podgoricë.
Anëtarët e dy kabineteve mbajnë një seancë për 10 marrëveshjet dhe memorandumet që nënshkruajnë.
Ndërkohë 3 marrëveshjet më të rëndësishme janë, ndërtimi i urës mbi lumin Buna, që lidh drejtpërdrejtë plazhin e Velipojës me atë të Ulqinit. Kjo urë do të jetë 310 metra e gjatë dhe do të kushtojë 9 milionë euro. Ndërsa financimi do të ndahet mes dy qeverive.
Marrëveshja e dytë e rëndësishme është hapja e pikës së kalimit kufitar Shën Nikollë Pulaj.
Ndërsa e treta ka të bëjë me menaxhimin e lumit Buna, ku synohet që të bëhet i lundrueshëm për jahtet dhe anijet e vogla. Marrëveshjet sjellin ndikim të drejtpërdrejtë në turizëm, për të rritur numrin e vizitorëve, jo vetëm nga Mali i Zi, por dhe nga Sllovenia e Kroacia që vijnë drejt Shqipërisë dhe anasjelltas. Marrëveshjet e tjera prekin kryesisht fushat e ekonomisë , energjisë, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe shëndetësisë.
Dy kryeministrat do kenë dhe një konferencë të përbashkët për shtyp, ku do flasin edhe për çështjet e Ballkanit Perëndimor.
Rama pritet në Mal të Zi me ceremoni shtetërore, nis mbledhja e përbashkët
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është pritur në Mal të Zi me ceremoni shtetërore nga kryeministri Dritan Abazoviq.
Ndërkohë, pas prezantimit të dy delegacioneve, ka nis mbledhja e përbashkët e dy qeverive, e cila është e dyta me radhë, e ku do të nënshkruhen edhe disa marrëveshje bashkëpunimi.
Mbledhja po mbahet në ndërtesën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi (CANU) në Podgoricë.
Në orën 13:00 pritet të bëhet nënshkrimi i deklaratës së përbashkët dhe marrëveshjes bilaterale për ndërtimin e urës në lumin Buna. Përveç këtyre, do të nënshkruhen edhe nëntë marrëveshje dhe memorandume në fushat e: energjisë, peshkimit, mbrojtjes së bimëve, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe medias, mbrojtjes, shëndetësisë, si dhe marrëveshja për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin Shën Nikollë – Pulaj në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjeve ndërshtetërore, kryeministrat e dy vendeve, Edi Rama dhe Dritan Abazoviq do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Qeveritë e Shqipërisë dhe Malit të Zi mbajnë takimin e dytë të përbashkët
Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Malit të Zi do të zhvillojnë të hënën mbledhjen e dytë të përbashkët të kabineteve qeveritare.
Mbledhja këtë herë do të zhvillohet në Podgoricë, derisa e para është mbajtur në Shkodër, në korrik të vitit 2018.
Mbledhja në ndërtesën e re të Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Podgoricë pritet të zgjasë më shumë se dy orë dhe do të fokusohet te projektet që kanë rëndësi për të dyja vendet.
Në fund do të nënshkruhet deklarata e përbashkët, dhe ajo e marrëveshjes dypalëshe për ndërtimin e urës në lumin Buna.

Back to top button